Komuna e Prishtinës ka prezantuar sot raportin për punimet gjatë vitit 2016.
Me këtë rast i pari i kësaj komune, Shpend Ahmeti tha se nga 12 premtime sa ka bërë për këtë vit, Komuna e Prishtinës ka realizuar më shumë se aq.
Gjatë prezantimit të raportit, Ahmeti tha se sot arrijnë autobusët e parë në Prishtinë.
I pari i komunës foli edhe për mirëqenien sociale, fushë kjo për të cilën tha se kabineti i tij ka arritur që të ndajë 50 banesa në mënyrën më transparente të mundshme.
“Ne kemi një kontratë qoftë të pa nënshkruar, por patjetër se të shkruar, sepse i kemi dhënë 12 zotime, kemi punuar në ato 12 zotime, kemi punuar përtej atyre zotimeve…Mund të iu them se sot arrijnë autobusët e parë në Prishtinë, mos t’i ndalshin në doganë…Për mirëqenien sociale po i ndajmë 50 banesa sociale, sivjet në mënyrën më transparente të mundshme, 320 familje kanë aplikuar për 50 banesa. I kemi ftuar me organizata të shoqërisë civile, me eksperta të fushës, ta monitorojnë këtë proces…Kemi nënshkruar një marrëveshje të madhe me qeverinë austriake, për një milionë e gjysmë euro, që i japim na, për 1 milion e 800 mijë qeveria austriake. Ku do të ketë grante për komunën e Prishtinës, për bujqit”, tha Ahmeti.
Shefja e Kabinetit të Komunës, Fitore Pacolli tha se besimi i qytetarëve pati rënë kohëve të fundit, sa i përket trajtimit që iu ofrohet në qendrat e mjekësisë familjare. Ajo tregoi për tri prioritetet e Drejtorisë së Shëndetësisë.
“Drejtoria e Shëndetësisë është fokusuar në tri prioritete kryesore, prioriteti i parë ka qenë në burimet njerëzore dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesionale; prioriteti i dytë ka qenë përmirësimi i infrastrukturës; prioriteti i tretë, shërbime cilësore dhe shërbime të reja…Kështu, në bashkëpunim me personelin shëndetësor, kemi bërë shpërndarjen e të gjithë stafit shëndetësor duke u bazuar në nevojat e Qendrave të Mjekësisë Familjare, ku kemi më shumë pacient, ku kërkesat janë shumë të mëdha dhe në bazë të profesionit të mjekëve që kanë qenë të vendosur nëpër qendra”, tha Pacolli.
Ajo tha se janë renovuar pothuajse të gjitha QMF-të dhe AMF-të.
Ajo përmendi shtimin e laboratorëve, radiologjitë dhe instrumentet e stomatologjisë.
Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave Hysen Durmishi, tha se gjatë këtyre tri viteve nuk është bërë asnjë cent investim nga Ministria e Infrastrukturës, në kuadër të qeverisë së Kosovës.
Sipas tij kjo është thjeshtë një mosangazhim i qeverisë, vetëm për inate pse VV udhëheq me komunën e Prishtinës.
Durmishi tha se gjatë këtij viti është bërë rikonstruimi i kulmeve të shkollave, rregullimi i oborreve, instalimi i ngrohjes nëpër to dhe terreneve sportive, ndërtimi i sallës në Barilevë etj.
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka folur edhe për hapjen e çerdheve publike në kryeqytet. Ai tha se në këtë drejtim komuna ka arritur që të dyfishojë numrin e tyre.
“Në tre vitet e para ne kemi gjetur Prishtinën me 7 çerdhe publike. E kemi hapur çerdhen e parë në fshat, në Prishtinë. Kemi hap çerdhen e parë në Hajvali, kemi hapur çerdhen e parë në lagjen ‘Mati’ dhe tash së fundmi çerdhen e re në Dragodan. Është përfunduar çerdhja në Sofali e cila pritet të hapet këto ditë. Po përfundohet çerdhja e parë publike në ‘Kodrën e Trimave’, investim mbi 400 mijë euro, një çerdhe me të vërtet shumë e bukur. Jemi tu e hap çerdhen në Tophanën. Me ç’rast po e dyfishojmë numrin e çerdheve publike në komunën e Prishtinës”, tha Ahmeti.
Ahmeti gjatë kësaj konference përmbyllëse, ndau mirënjohje për anëtarët e drejtorive për punën e suksesshme që kanë bërë./Arbresh.info
Vritet në Londër nipi i këngëtares kosovare, disa të arrestu...
“Kosova e shpalli pavarësinë, ne e njohëm”, momenti kur Bush...
Osmani jep mbështetje për marshin “Drejtësi, jo politikë”
Kurti: Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar çlirimtare ̵...
Rifat Jashari pritet me duartrokitje nga qytetarët në paraka...
Hamza: UÇK-ja nuk ishte ndërmarrje kriminale, ishte ushtri ç...