Ahmeti kërkon bashkëpunim nga Kosova për incidentin në Gushincë

17:24 | 27 Prill 2015
M. A.

Në vazhdën e takimeve të shumta që pati kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti  me lider institucional dhe partiak, u takua edhe me kryetarin e Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, me të cilin  biseduan lidhur me situatën aktuale politike në Maqedoni dhe Kosovës, por edhe në rajon.

Rasti i fundit me incidentit e ndodhur në stacionin policor të fshatit Gushincë, fshat ky i banuar me shqiptar, sipas Ahmetit, nuk paraqet sulm për vendbanimin shqiptar dhe rrjedhimisht as për popullatën shqiptare në atë pjesë, por se ishte sulm vetëm ndaj një stacioni policor.

“Nuk është sulmuar asnjë vendbanim shqiptar, as nuk ka asnjë cak sulmimi. Policia vendore, janë pjesa dërmuese shqiptar të cilët menaxhojnë me atë situatë që ka ndodh. Ne nuk mund ta fshehim një të vërtet që është sulmuar një stacion policie. Në të cilën stacion policie tre policë kanë qenë shqiptar dhe një maqedonas. Janë uzurpuar mjetet e duhura të stacionit, dhe sigurisht që policia tanimë kryen punë e  vet dhe ne e kemi kërkuar që institucionalisht  të bashkëpunohet në mes dy shteteve, Maqedonisë dhe Kosovës për ta ndriçuar të vërtetën, pa dashur të manipulojmë dhe të japim  vlerësime pa dal në vlerësime autoritetet kompetente për këto çështje”, theksoi Ahmeti.

Ndërsa nikoqiri i këtij  takimi lideri i Nismës, Fatmir Limaj, theksoi se kanë biseduar për shqetësimet e përbashkëta, dhe po ashtu për aspiratat e përbashkëta për tu integruar në familjen e Bashkimit Evropian.

Limaj mes tjerash theksoi se demokracia dhe stabiliteti i Maqedonisë, duke folur këtu për incidentin e fundit në Gushincë, është e varur nga mirëqenia  dhe prezenca  në jetën shoqërore dhe politike të shqiptarëve në këtë shtet.

“Stabiliteti ,siguria, avancimi  në proceset demokratike janë gjëja që më së shumti dhe me interes për të gjithë rajonin, por edhe për  shqiptarët në përgjithësi.  Ne duam që  sa ma  demokratike, sa më stabile sa më të sigurt Maqedonia dhe sa më të kënaqur dhe rritjes së mirëqenies së shqiptarëve në Maqedoni, prezencës së tyre në jetën shoqërore dhe politike, ajo prodhon siguri, prodhon stabilitet dhe ky është interesi I shqiptarëve të Maqedonisë, ky është interesi i Kosovës, ky është interesi i rajonit”, tha Limaj.

Ahmeti i pyetur nga gazetarët për ndarjen e dy bashkëluftëtarëve Hashim Thaçit dhe Limajt , tha se këto janë zhvillime normale, duke i uruar kështu Limajt suksese në partinë që tani drejton.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme