Abdixhiku takon ambasadorin gjerman, diskutojnë për formimin e institucioneve të reja

16:20 | 16 Qershor 2026
E H

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend pas procesit zgjedhor.

Sipas njoftimit të LDK-së, në takim u bisedua për pritjet lidhur me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), si dhe për hapat e mëtejmë drejt konstituimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.

Abdixhiku theksoi rëndësinë e respektimit të proceseve demokratike dhe nevojën që, menjëherë pas certifikimit të rezultateve, të ndërmerren veprime të përgjegjshme për formimin e institucioneve funksionale, në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe interesin shtetëror.

Ai vlerësoi gjithashtu se Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe institucional, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet akterëve politikë në këtë fazë.

Gjatë takimit, kreu i LDK-së shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka ofruar Kosovës ndër vite në procese të ndryshme shtetformuese dhe zhvillimore./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale