Abdixhiku pasi u nominua për kryeministër: Jam gati – Kosova ka nevojë për qeveri që punon, jo që shemb

21:16 | 24 Nëntor 2025
E.H

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pasi kryesia e LDK-së nominoi atë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Me anë të një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se pas kohëve të bllokadave, përçarjeve dhe improvizimeve, vendi ynë ka nevojë për kthjelltësi, për përvojë, për seriozitet dhe për një vizion të qartë euroatlantik, transmeton Arbresh.info.

Postimi i plotë:

Sonte, Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me unanimitet të plotë. më ka nominuar si kandidat për Kryeministër të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ky është nderi më i madh politik që mund t’i jepet një njeriu. Por mbi të gjitha, është përgjegjësi. Përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë, ndaj së vërtetës, ndaj së ardhmes që duam ta ndërtojmë.

Kosova po hyn në një moment vendimtar. Pas kohëve të bllokadave, përçarjeve dhe improvizimeve, vendi ynë ka nevojë për kthjelltësi, për përvojë, për seriozitet dhe për një vizion të qartë euroatlantik. Ka nevojë për qeveri që punon, jo që improvizon; që bashkon, jo që ndan; që ndërton, jo që shemb.

LDK-ja, shtëpia jonë politike e vlerave dhe e stabilitetit, vjen në këto zgjedhje me një ofertë shtetformuese, me programin të plotë zhvillimor, me njerëzit më të përgatitur për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për ta dërguar drejt një dekade të re zhvillimi.

Unë sot dua t’i falënderoj publikisht koleget dhe kolegët e mi në Kryesi për besimin e tyre të plotë. Faleminderit për bashkëpunimin, për unitetin dhe për vendosmërinë që na ka sjellë deri këtu; të fortë, të bashkuar e të gatshëm.
Dhe sot dua t’u drejtohem të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim partie, bindjeje apo zhgënjimi:

Nëse besoni në një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar, më europiane; nëse besoni se ky vend meriton qeveri që respekton ligjin dhe institucionet;

Nëse besoni se e ardhmja e fëmijëve tanë duhet ndërtuar mbi punë, dije dhe vlera – atëherë ju ftoj të bashkohemi.

Të bashkohemi për Kosovën.
Të bashkohemi për një qeveri serioze.
Të bashkohemi për t’i dhënë fund aventurës politike dhe për ta kthyer vendin në rrugën e sigurt të zhvillimit.
28 dhjetori është dita kur e nisim rrugën e re.
Dhe unë, me përulësi dhe vendosmëri, jam gati./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale