Abdixhiku në Pejë premton 50 milionë euro për qendrën e skijimit

21:38 | 26 Janar 2025
E.G

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar fushatën elektorale me tubimin në Pejë. Kandidati për kryeministër nga ky subjekt politik, Lumir Abdixhiku, u ka premtuar pejanëve 50 milionë euro për projektin e qendrës së skijimit.

“Askush sot sikur ne nuk e ka investimin plot 50 milionë euro për qendrën tuaj të re të skijimit. Këto bjeshkë të bukura dhe përrallore, mjaft i ruajtët vetëm si tuajat, t’u japim edhe të tjerëve t’i shijojnë, e t’u sjellim pasuri e bereqet Pejës nga secili vizitor”, tha Abdixhiku.

Ai tutje premtoi se nën qeverisjen e LDK-së do të fillojnë menjëherë me ndryshimin e Ligjit për Parkun Nacional, teksa premtoi edhe ndërtimin e stadiumin të futbollit për katër vjet me 12 milionë euro.

Sa i përket infrastrukturës ai tha se autostrada Kievë – Zahaq do të përfundojë sa më shpejt, derisa premtoi riasfaltim të rrugës në Rugovë, shtrim të rrugës për në Qakorr dhe u zotua për investim të 8 milionë eurove në spitalin e Pejës.

Abdixhiku po ashtu tha se për pensionistët do t’i rrisin pensionet për 36.2 përqind dhe të gjitha barnat do t’ia ofrojnë falas.

Abdixhiku tutje tha se “Kosova, shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e BE, me miqësi të përhershme me SHBA, ishte misioni ynë dje, është misoni ynë sot, dhe patjetër do të jetë misioni ynë nesër”.

Ndërkaq, kandidati për deputet, Gazmend Muhaxheri tha se Peja është krenare me mësuesit, punëtorët, bujqit e afaristët, ata që kontribuojnë çdo ditë për mirëqenien e këtij qyteti dhe sipas tij Abdixhiku, si kryeministër, do të jetë dora e djathtë e tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale