Abdixhiku mbështet vendimin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

09:37 | 6 Mars 2026
E.K

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani Sadriu për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke e mbështetur dhe mirëpritur këtë vendim.

Në një reagim publik, Abdixhiku tha se Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar nga presidentja me këtë vendim, duke theksuar se ai është në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të vendit.

“Mbështes dhe mirëpres, siç edhe pritej, dekretin dhe qëndrimin e Presidentes së Republikës Vjosa Osmani Sadriu, për shpërndarjen e Kuvendit. LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës”, ka shkruar ai.

Sipas tij, dështimi politik, “bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën e Kosovës në një vend pa norma dhe pa rregulla”.

Në këtë frymë, ai thotë se janë të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike.

“Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme”, ka thënë Abdixhiku.

Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan, sipas tij, çdo kompromis eventual. “Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”, ka shkruar Abdixhiku në reagimi e tij në Facebook.