Google ADS

Abazi: “Vetëmenaxhimi” është folje, Asociacioni emër, ky është dallimi i vetëm

08:54 | 1 Prill 2023
A. B.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, thotë se marrëveshja e panënshkruar e Ohrit ngjason me atë të vitit 2013, pasi në të kërkohet të implementohet edhe Asociacioni.

Ish-zëvendëskryeministri ka kritikuar këtë marrëveshje për faktin se ajo e trajton komunitetin serb në Kosovë si një minoritet special, teksa i lejohet edhe komunikimi me Beogradin.

Ndërsa, për fjalën vetëmenaxhim, Abazi thotë se është e njëjta me vetëqeverisje, e se kjo “lojë fjalësh” nga Kurti është tentim për ta “mjegulluar” një situatë që tanimë është mjaft e paqartë.

Ai u ndal te pika shtatë dhe dhjetë e marrëveshjes, që i cilësoi pika kyçe, teksa ka thënë se Kosova është e obliguar t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë.

“Pika shtatë krijon një gradacion në të drejtën edhe definimin e komunitetit serb si minoritet special në Kosovë, duke krijuar kanale te veçanta të komunikimit me qeverinë e Kosovës, që do të thotë është ndikuar jashtë strukturës qytetare ky grup etnik. Në anën tjetër, i lejohet e i mundësohet me marrëdhënia me Beogradin. Në një formë kjo na thotë që ka mbetur ende në fuqi dora e zgjatur e Serbisë e se është pranuar nga bashkësia ndërkombëtare e nga autoritetet e Kosovës, dora e zgjatur e Serbisë si instrument politik që përdor serbët në Kosovë. Finalja është tek pika 10 e cila obligon palët për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara të kaluara që përfshin Asociacionin”, ka thënë Abazi për EO.

Deputeti i LV-së është ndalur edhe te fjala “vetëmenaxhim”. Ai ka thënë se tentimi për ta interpretuar ndryshe Asociacionin, është tentim për “të hedhur mjegull mbi situatën”, e cila tanimë është e mjegulluar. Sipas tij, kjo fjalë ka kuptimin e njëjtë me Asociacionin.

Ai pati kritika edhe për mos transparëncën e Qeverisë, veçanërisht pas propozimit të planit evropian.

“Tentimi me interpretu në gjuhën shqipe fjalën eksplicite, definitive që përfshihet në pikën 10 në fjalinë e fundit është asgjë më shumë se sa tentim për me hedh mjegull në situatën, po ashtu të mjegulluar. Është mbajtur në mënyrë konfidenciale i gjithë procesi dyvjeçar, e sidomos pas paraqitjes së Planit Franko-Gjerman. Po e njëjta është, ‘vetëmenaxhimi’ është folje, me menaxhu është folje, ndërsa asociacion është emër. Çka ka ndodhur është zbërthyer prej emrit në funksion”, u shpreh ai.

Shpërndaje në rrjete sociale