AAK-ja shkëput koalicionin me PDK-në në Klinë

20:46 | 8 Prill 2015
M. A.

Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Klinë, të mërkurën ka shkëputur koalicionin me PDK-në.

“Dega e AAK-së në Klinë konsideron se PDK-ja i ka shkelur të gjitha parimet bashkëqeverisëse dhe kjo sjellje ka rezultuar me një qeverisje joefektive. Vendimi për shkëputjen e këtij koalicioni është marrë nga asamblistët e AAK-në në Kuvendin Komunal të Klinës, i mbështetur nga të gjitha strukturat udhëheqëse të degës dhe e ka mbështetjen e nivelit qendror të AAK-së”, thuhet në njoftimin e këtij subjekti nëpërmjet rrjetit social “Facebook”.

Kjo është konfirmuar edhe nga kryetari i ri i Degës së AAK-së në Klinë, Zenun Elezi.
“Kështu kanë vendosur këshilltarët e degës, të cilët janë mbështetur edhe nga Kryesia e nivelit qendror”, i ka thënë Elezi korrespodentit të Kohës Ditore në Klinë, teksa nuk ka treguar arsyen e shkëputjes së koalicionit me PDK-në përveç asaj që është thënë në vendimin e nivelit qendror të publikuar nga Departamenti i Medieve të AAK-së.

Në rrjetin social “Facebook” është postuar edhe një fotografi e katër këshilltarëve të AAK-së në Klinë bashkë me liderin Haradinaj.

Gazeta ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Klinës, Sokol Bashota, i cili ka thënë se nuk është i njoftuar zyrtarisht se AAK-ja ka prishur koalicionin.
“Unë ende nuk jam takuar me kryetarin e ri të AAK-së, asgjë zyrtare nuk kam”, ka thënë Bashota për KD, sipas të cilit nga ajo sa ka lexuar është e papranueshme që të thuhet se janë shkelur parimet e bashkëqeverisjes.

“Unë marrëveshjen e kam pasur për dy drejtori dhe nënkryetarin, kjo edhe është zbatuar, nuk është aspak e vërtetë që kam shkelur parimet e bashkëqeverisjes, marrëveshjen e kam zbatuar”, ka thënë Bashota.

Kjo prishje e koalicionit vjen pas ofensivës që kanë marrë dy ish-kryetarët e kësaj partie tashmë të shkarkuar, Enver Berisha dhe Bedri Gashi, për të bindur nëndegët e AAK-së që të kalojnë në PDK, përcjell koha.net.
Pas prishjes së koalicionit, PDK-ja tashmë ka mbetur me 13 ulëse në Kuvend dhe i duhet vetëm edhe një këshilltar për të arritur shumicën në Kuvend, që numëron 27 ulëse./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme