A keni dëgjuar për këto lojëra tradicionale që mbahen në Kosovë? (Video)

12:47 | 14 Qershor 2016
M. A.

Bota e sporteve kosovare nuk është vetëm ajo e heronjve dhe e spektatorëve. Vendi poashtu ofron edhe një numër në rritje të mundësive për sporte me pjesëmarrje, si dhe ato rekreacionale.

Kapuça, Kut e Kleçkë, Guxhas, top-n-kali, thyerje (rrëzim) e duarve, vrapim me thes, thyerje (rrëzim) e këmbëve, rrasash, marrja e shamisë, tërheqja e litarit, gurapesh me dy duar anash, gurapesh prapa, dhe gurapesh me një krah – janë këto lojërat me të cilat mund të shoqërohen të gjithë ata që bëhen pjesë e Albaniadës, shkruan arbresh.info

Kjo garë rekreative lojërash, kishte filluar me idenë që të promovojë një pjesë të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, me anë të sporteve dhe lojërave nga vise të ndryshme të Kosovës. Albaniada, filloi në kuadër të festimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 2012, nga Ministria e Kosovës për Kulturë, Rinisë dhe Sportit. 
Krejt çka ju nevojitet është të vizitoni fshatin Kukaj gjatë muajit gusht, fshat i cili ndodhet afërsisht 30 km larg Prishtinës.

Në muajin gusht të vitit 2014, është mbajtur edhe edicioni i tretë i kësaj mini olimpiade lojërash tradicionale, ku ishin rreth 120 garues që morën pjesë në 23 disiplina. Risi në këtë edicion, me qëllim të shtimit të numrit të garave dhe garuesve,  ishin lojërat dhe sportet ku përformonin femrat. Këto sporte dhe lojëra i munguan Albaniadës në dy vitet e para të organizimit, pasiqë deri tani interesimi i femrave për të qenë pjesë e kësaj olimpiade, të sporteve dhe lojërave tradicionale shqiptare, ishte i vogël. Femrat garuan në disiplinën e vrapimit me thasë, rrasash apo rrëzimin e gurëve me shigjetë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale