​76 vjet nga themelimi i Këshillit të Evropës

08:49 | 5 Maj 2025
E.K

Më 5 Maj 1949, u themelua Këshilli i Evropës – një organizatë ndërkombëtare me seli në Strasburg të Francës, e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

Qëllimi i themelimit të saj ishte krijimi i një bashkëpunimi më të ngushtë mes vendeve anëtare, mbi bazën e traditave të përbashkëta të lirisë politike. Ideatorët kryesorë të kësaj organizate ishin figura të njohura historike si Winston Churchill, Robert Schuman dhe Konrad Adenauer.

Organizata luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e lirisë së shprehjes, barazisë dhe të drejtave të pakicave në shtetet anëtare. Ajo ka zhvilluar fushata për mbrojtjen e fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes dhe për të drejtat e romëve – komuniteti më i madh pakicë në Evropë.

Këshilli i ndihmon vendet anëtare në luftimin e korrupsionit dhe terrorizmit, si dhe në zbatimin e reformave në sistemin gjyqësor. Një ndër trupat më të njohur të tij është Komisioni i Venecias, i cili ofron këshilla ligjore për ndryshime kushtetuese në vende të ndryshme të botës.

Edhe pse nuk ka kompetenca për të miratuar ligje detyruese, organizata luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare të arritura nga vendet anëtare.

Këshilli i Evropës përbëhet nga dy trupa kryesorë – Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare. Aktualisht ka 47 shtete anëtare dhe përfaqëson rreth 820 milionë qytetarë. Organizata funksionon me një buxhet vjetor prej rreth 500 milionë euro dhe gëzon statusin e vëzhguesit zyrtar pranë Kombeve të Bashkuara.