71 zyrtarë të lartë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre

17:33 | 7 Prill 2015
M. A.

Shtatëdhjetë e një zyrtarë të lartë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre dhe nuk kanë dhënë ndonjë arsye gjatë procesit të rregullt vjetor të deklarimit të pasurisë, kurse katër zyrtarë tjerë të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë kanë dhënë arsyet objektive të mos deklarimit (gjenden jashtë vendi për shërim ose janë në paraburgim).

Kështu ka deklaruar Agjencia Kundër Korrupsion, e cila, përmes një njoftimi dërguar mediave, thotë se sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik, këtë vit deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë kanë pasur për obligim ta bëjnë 4200 kurse deklarimin e kanë bërë 4125 zyrtarë ose shprehur në përqindje rreth 98.3%.

“Siç dihet, vitin e kaluar vetëm dy zyrtarë nuk e patën deklaruar pasurinë, ndërkohë që pati shënuar deklarimin në nivelin më të lart që nga viti 2007. Mirëpo këtë vit ka një rritje të mos deklarimit”, ka thënë Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, raporton Koha.net.

Preteni tha se kjo rritje e mos deklarimit mund të jetë rezultat i mos sanksionimit nga ana e gjykatave.

“Vitin e kaluar kemi qenë shumë të kënaqur me përqindjen e deklarimit. Mirëpo sivjet ka një trend tjetër që tingëllon më negativ. Mendoj se arsyeja që sivjet kemi 71 zyrtarë në listën e atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë, krahasuar me vetëm dy që ishin vitin e kaluar, është fakti i mos sanksionimit nga ana e gjykatave”, tha Preteni.

Sidoqoftë, Agjencia ashtu sikurse ka vepruar në të kaluarën, konform nenit 437 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, do t’i adresojë Kallëzimet Penale nëpër gjykatat kompetente ndaj të gjithë këtyre zyrtarëve që nuk i janë përgjigjur obligimit të tyre ligjor pa dhen arsye objektive.

Në mesin e 71 zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre është edhe komandanti rajonal i Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq.

Visar Arifaj, deputet i Kuvendit Komunal të Prishtinës është po ashtu njëri nga ata që nuk e kanë deklaruar pasurinë, por edhe Saranda Bogujevci, Drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës.

Edhe Ajnishahe Halimi, asambleiste në Kuvendin Komunal të Skënderajt, nuk e ka deklaruar pasurinë në bazë të Ligjit, siç ka bërë edhe Kefsere Baliu nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme