7 raste të reja me HIV/AIDS në Kosovë gjatë katër mujorit të 2025, dominon gjinia mashkullore

13:00 | 24 Maj 2025
E.K

Shtatë raste të reja me HIV/AIDS janë regjistruar në Kosovë gjatë katër mujorit të parë të vitit 2025, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Nga këto raste, gjashtë janë burra dhe një është grua.

Sa i përket moshës së të prekurve, një rast i përket grup-moshës 16-24 vjeç, dy raste janë të moshës 25-34 vjeç, dy raste të tjera i takojnë moshës 35-44 vjeç, dhe nga një rast në grup-moshat 45-54 dhe mbi 55 vjeç, raporton Arbresh.info.

Gjatë vitit 2024, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 34 raste të reja me HIV/AIDS dhe një vdekje si pasojë e sëmundjes. Nga këto raste, 31 ishin burra dhe 3 gra. Grupi më i prekur ishte ai i moshës 25-34 vjeç me 15 raste, i ndjekur nga grup-mosha 35-44 vjeç me 8 raste.

Shefi i repartit për HIV në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Murat Mehmeti, ka konfirmuar për Arbresh.info se aktualisht në klinikë nuk ka pacientë të shtruar me HIV/AIDS.

Megjithatë, ai theksoi se gjatë dy viteve të fundit ka një tendencë në rritje të rasteve të reja, kryesisht tek meshkujt dhe grupmosha e re.

“Furnizimi me terapi antiretrovirale është i rregullt. Masat kryesore mbeten përdorimi i prezervativëve, testimi i shpeshtë për ata që nuk përdorin masa mbrojtëse dhe kanë ndryshime të shpeshta të partnerëve seksualë, si dhe edukimi seksual në shkolla,” tha Mehmeti.

Rasti i parë me HIV/AIDS në Kosovë është regjistruar në vitin 1986. Që atëherë, rreth 50 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e kësaj sëmundjeje.

Kosova mbetet ndër vendet me shkallë më të ulët të përhapjes së HIV/AIDS-it, por Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se kjo sëmundje mbetet një sfidë e rëndësishme për shëndetin publik./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Shpërndaje në rrjete sociale