“Në një tryezë me gratë që vendosin”, Banka Ekonomike bashkon profesioniste dhe sipërmarrëse për 8 Marsin

16:56 | 8 Mars 2026
E.G

Në një atmosferë të mbushur me energji, ide dhe frymëzim, u mblodhën rreth një tryeze të veçantë të organizuar nga znj. Hamide Pacolli Gashi, Zëvendësdrejtoreshë Ekzekutive në Bankën Ekonomike, në shënim të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas dhe në vitin jubilar të 25-vjetorit të Bankës Ekonomike.

Ky takim krijoi një hapësirë të vlefshme dialogu, ku gra lidere, profesioniste dhe sipërmarrëse nga fusha të ndryshme u bashkuan për të ndarë përvoja, për të diskutuar sfidat dhe për të ndërtuar vizione të reja për të ardhmen.

Në këtë tryezë morën pjesë figura të rëndësishme si Nesrin Shileku-Shala, Zëvendësguvernatore në Bankën Qendrore të Kosovës, Senida Mesi, Anëtare e Bordit të Drejtorëve të Bankës Ekonomike, Nora Arifi, Menaxhere e Lartë e Portofolit në Fondin e Garancisë së Kreditit të Kosovës (FKGF), Albulena Shala, Anëtare e Bordit të Drejtorëve të Bankës Ekonomike, dhe Yllka Ahmeti, Doktore e Shkencave të Ekonomisë, si dhe shumë gra sipërmarrëse dhe profesioniste që përfaqësojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë.

“Ky takim rikujtoi edhe një herë se idetë marrin më shumë vlerë kur ndahen, përvojat bëhen më të fuqishme kur tregohen dhe vizionet për të ardhmen forcohen kur ndërtohen së bashku.”, thuhet në njoftim.

Përmes diskutimeve të hapura dhe shkëmbimit të përvojave, u theksua roli gjithnjë e më i rëndësishëm që gratë kanë në zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe ndërtimin e një shoqërie më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.

Po ashtu u tha se ky takim është dëshmi se kur gratë bashkohen rreth ideve dhe vizioneve të përbashkëta, krijohen mundësi të reja për zhvillim, bashkëpunim dhe sukses.

Në fund, u shpreh falënderim për të gjitha pjesëmarrëset për një diskutim inspirues dhe shumë domethënës, me mesazhin për të vazhduar krijimin e më shumë hapësirave ku gratë jo vetëm marrin pjesë, por edhe vendosin.

Shpërndaje në rrjete sociale