Me ardhjen e stinës së dimrit dhe uljen e temperaturave, në vend është shënuar rritje e rasteve të gripit sezonal, duke ndikuar edhe në shtimin e vizitave në institucionet shëndetësore.
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, pacientë të moshave të ndryshme po kërkojnë ndihmë mjekësore, kryesisht për shkak të temperaturës së lartë, kollës së vazhdueshme, dhimbjeve të fytit, lodhjes së theksuar dhe dhimbjeve të trupit.
Disa prej tyre bëjnë të ditur se simptomat po zgjasin disa ditë, ndërsa të tjerë janë paraqitur për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Pacientët thonë se, edhe pse kanë ndjekur trajtim fillestar me barna dhe çajra, në disa raste gjendja nuk është përmirësuar menjëherë, çka i ka detyruar të kërkojnë kontroll të mëtutjeshëm mjekësor. Megjithatë, ata shprehen se po marrin kujdesin e nevojshëm nga stafi shëndetësor.
Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar, veçanërisht për kategoritë më të rrezikuara.
Sipas specialistes së Mjekësisë Familjare, Vjollca Zeqiri, më të ndjeshëm ndaj gripit sezonal janë të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike, të cilët duhet të paraqiten në institucionet shëndetësore sapo të vërejnë përkeqësim të simptomave.
Sa i përket trajtimit, mjekët rekomandojnë përdorimin e antipiretikëve për uljen e temperaturës dhe etheve, lehtësimin e dhimbjeve të kokës dhe trupit, përdorimin e pikave për çlirimin e hundëve, si dhe konsumimin e ushqimeve të pasura me fruta dhe perime.
Ndërkohë, vaksinimi kundër gripit sezonal ka nisur që në fillim të tetorit në të gjitha njësitë e vaksinimit, pas sigurimit të mbi 85 mijë dozave nga Ministria e Shëndetësisë. Vetëm në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, mbi 11 mijë qytetarë janë vaksinuar deri më tani./rtk
Mbyllet pa gola pjesa e parë e finales së Carabao Cup mes Ar...
Vdes tragjikisht 19 vjeçari shqiptar, ra nga skelet ne Angli
Protesta e opozitës, 1400 efektivë policie në terren për gar...
Rreth 200 vullnetarë, 400 thasë mbeturina – Aksion pastrimi ...
Këta janë dy efektivët që shpëtuan nga mbytja 59-vjeçaren në...
Parandalohet futja e substancave narkotike në Qendrën Korrek...