Instituti GAP ka publikuar raportin me titull “Projektbuxheti 2026 – Analizë e të hyrave dhe shpenzimeve”, duke vlerësuar se projektbuxheti i miratuar nga Qeveria e Kosovës më 12 shkurt 2026 nuk reflekton strukturën e re qeveritare dhe nuk është hartuar mbi bazën e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) për periudhën 2026–2028.
Sipas njoftimit, “versioni i miratuar është i njëjti me atë që Qeveria në detyrë e kishe miratuar me 31 tetor 2025 dhe nuk reflekton strukturën e Qeverisë së re, që tani do të ketë 19 ministri”.
Po ashtu, thuhet se projektbuxheti nuk është përgatitur bazuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), e cila nuk është miratuar dhe publikuar fare për periudhën 2026–2028.
“Buxheti i Kosovës për vitin 2026 parasheh rreth 4 miliardë euro shpenzime, që paraqet rritje prej 10% krahasuar me vitin 2025. Shpenzimet rrjedhëse pritet të rriten për 279 milionë euro (+11%) dhe të arrijnë në rreth 2.9 miliardë euro, duke zënë 73% të buxhetit, ndërsa shpenzimet kapitale rriten për 67.1 milionë euro (+7%) dhe kapin vlerën 998.4 milionë euro, ose 25% të buxhetit”, thuhet në raportin e GAP.
Instituti GAP vlerëson se gjatë viteve të fundit është krijuar një disproporcion mes kategorive buxhetore.
“Gjatë periudhës 2019-2025, shpenzimet për subvencione dhe transfere pothuajse janë dyfishuar si vlerë, ndërkaq investimet kapitale janë rritur vetëm për rreth 35%. Ky zhvillim i tillë kufizon mundësinë për të investuar në projekte infrastrukturore, ndonëse investimet publike kanë një efekt multiplikues shumë të lartë në ekonomi”, theksohet tutje në raportin e GAP-it.
Buxheti i nivelit qendror, pa përfshirë pagesat për interesin e borxhit publik, do të jetë rreth 3 miliardë euro, ndërsa ai i nivelit lokal rreth 867 milionë euro.
Pjesa më e madhe e rritjes së buxhetit në nivel qendror shkon tek Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, me rritje prej rreth 174 milionë eurove apo 17%.
Sipas raportit, “kategoria e pagesave për pensione planifikohet të rritet për 95 milionë euro apo 20% në vitin 2026, skema për lehonat dhe shtesat për fëmijë për 75 milionë euro apo 52%, duke arritur në 220 milionë euro si skemë”.
Sa i përket sektorëve të tjerë, buxheti për shëndetësi pritet të arrijë në rreth 396 milionë euro (+10%), ndërsa për arsim rreth 408.7 milionë euro (+6%), krahasuar me vitin 2025.
Në sektorin e drejtësisë, rritja është rreth 2%. Megjithatë, sipas GAP në sektorët tjerë, buxheti nuk dallon shumë nga viti i kaluar, si dhe nuk adresohen nevojat nga aspekti buxhetor për zbatimin efektiv të strategjive kyçe për ekonominë tonë, sikurse për Strategjinë e Energjisë.
“Për herë të parë, projektbuxheti përfshin edhe pagën e 13-të për sektorin publik. Por, sipas raportit, megjithëse rritja e përgjithshme e faturës së pagave mbetet brenda kufijve të lejuar fiskalë, ajo nuk është në harmoni me Ligjin e pagave dhe përfaqëson ndërhyrje ad-hoc në politikën e pagave”, thekson GAP.
Raporti evidenton gjithashtu dobësi në realizimin e investimeve kapitale. “Vetëm gjatë periudhës 2021–2024, realizimi i investimeve kapitale ka qenë rreth 1 miliard euro më i ulët se planifikimi, duke reflektuar dobësi të vazhdueshme në planifikimin dhe zbatimin e projekteve kapitale”, thuhet në njoftim.
Sipas GAP, shpërndarja e investimeve nga niveli qendror në komuna vazhdon të jetë joproporcionale me popullsinë dhe sipërfaqen, ndonëse më e balancuar nga aspekti partiak.
Gjithashtu, theksohet se dokumenti informues për qytetarët nuk është publikuar me kohë dhe se projektbuxheti “vazhdon të mos adresojë perspektivën gjinore, duke munguar analiza e ndikimit dhe masat për promovimin e barazisë gjinore”.
“Liria ka Emër” pritet nga Haxhiu: Marrin mbësht...
Mbërrijnë në Hagë vëllezërit e ish-presidentit Hashim Thaçi
Kurti: Kosova partnere e besueshme e Bashkimit Evropian
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba gjatë javës së kalua...
A do të heqë dorë Irani nga programi raketor në këmbim të nj...
Aksi Qafë Thore-Theth vijon të jetë i bllokuar nga bora, aut...