U kritikua për komunikatën në rastin e 18 vjeçares, sqarohet Gjykata Themelore në Ferizaj

19:44 | 24 Gusht 2021
Përparim Bublaku

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka sqaruar komunikatën e dërguar gjatë ditës lidhur me arrestimin e të dyshuarit për vrasjen e 18 vjeçares.

Por, kjo komunikatë kishte ngjallur reagim për shkak se aty ishte përmendur edhe motivi i vrasjes së 18 vjeçares nga dy tash të arrestuarit, duke fajësuar gjykatën se ka “arsyetuar” vrasjen.

Juristja Flutura Kusari, ka qenë ndër ato që ka reaguar ndaj asaj komunikate.

“Pjesa kryesore e komunikatës së Gjykatës Themelore në Ferizaj drejtuar mediave është e tmerrshme.
Ofron detaje rreth ‘motivive’ të vrasjes, motive këto që tek ata që e arsyetojnë dhunën dhe tek dhunuesit do të krijojnë bindjen se kinse vrasësi ka pasur arsye ta vrasë Marigonën.
Komunikata nuk ofron detaje të njëjta për dhunën e ushtruar ndaj saj por me një gjuhë shumë të kujdesshme i referohet vetëm si ‘dhunë psiqike dhe fizike”, kishte shkruar ajo.

Por, në sqarimin e Gjykatës së Ferizajt, thuhet se qëllimi ka qenë në dhënien e sa më shumë informacionëve.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, në përpjekje për të dhënë sa më shumë informata lidhur me rastin e caktimit të masës së paraburgimit, ndaj njërit prej të dyshuarve për vrasjen e 18 vjeçares, ndër të tjera ka përmendur edhe motivet e vrasjes të cilat janë nxjerrë nga kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe dosjes së lëndës, në bazë të të cilave është marr edhe aktvendim nga gjyqtari i procedurës paraprake për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit A.S..”, thuhet në sqarim raporton arbresh.info.

Tutje, aty thuhet se “Gjykata respekton parimin e prezumimit të pafajësisë dhe siguron proces të drejtë, të paanshëm dhe transparent të këtij rasti deri sa vendimi të marr formën e prerë”./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme