Sveçla: Kemi qenë të përgatitur logjistikisht që edhe fizikisht t’i largojmë barrikadat

13:02 | 12 Tetor 2021

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në komision tha se kanë qenë të gatshme edhe fizikisht që të heqin barrikadat në veri të vendit, shkruan arbresh.info.

Sveçla këtë e tha kur është pyetur nga deputetë të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje lidhur me problemet logjistike që ka hasur Policia e Kosovës gjatë bllokadës në veri.

“Po e them për herë të parë, ne kemi qenë te përgatitur që edhe fizikisht të largojmë barrikadat. Ka qenë çështje e vlerësimit operacional nga policia, dhe politik nga qeveria që të zgjidhet rruga më e mirë e mundshme për largimin e barrikadave, nuk ka pasur asnjë ngërç në përgatitjen logjistike”, deklaroi ai.

E Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, në pyetjet e bëra nga anëtarët e Komisionit për Siguri, tha se nuk ka marrë informacione për probleme logjistike nga policët në veri të vendit, shkruan arbresh.info.

Po ashtu Mehmeti mohoi që pjesëtarët e Njësisë Speciale kanë qenë të bllokuar nga serbët në veri, teksa shtoi se qarkullimi nuk është ndalur për asnjë moment, po ashtu ai shpjegoi edhe komunikimin ndërmjet policëve, ku tha se për shkak të terrenit radiolidhjet nuk funksionojnë çdo herë.

“Gjithçka ka funksionuar përmes rrugëve alternative. Qarkullimi nuk është ndërprerë për asnjë moment. Ne i kemi bllokuar automjetet për shkak që kanë barrikadat në kufi. Ata kanë udhëtuar me autobus, po pikat nuk kanë qenë të bllokuar as për një moment të vetëm…Sa i përket komunikimit janë përdorur disa forma. Nuk jemi kushedi sa të kënaqur me këtë sistem që e kemi por komunikuar vazhdimisht”, deklaroi Mehmeti.

Po ashtu ai ceku edhe ushqimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës gjatë qëndrimit në veri të vendit në kohën kur po mbanin nën kontroll situatën në veri të vendit, Mehmeti tha se janë siguruar që një vakt të jetë i nxehtë dhe një i ftohtë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara