27 vjet nga rënia e Agim Ramadanit, heroizmi i përjetshëm i Koshare­s

11:00 | 11 Prill 2026
Q L

Sot shënohen 27 vjet nga rënia heroike e komandantit dhe luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Ramadani, një prej figurave më emblematike të luftës për liri dhe një nga strategët kyç të Betejës së Koshares.

Në kujtim të tij, në mesditë organizohet akademi përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Derisa me çdo 9 prill, ky amanet historik i rezistencës shqiptare përkujtohet përmes manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”, në nderim të betejës që theu kufirin shqiptaro-shqiptar.

Agim Ramadani – Katana, ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit në Koshare dhe së bashku me bashkëluftëtarët realizoi një nga momentet më simbolike të luftës çlirimtare.

I lindur më 3 maj 1963 në Zhegër të Gjilanit, ai u formua si ushtarak në Akademinë Ushtarake në Zagreb dhe më pas si artist e krijues, duke lënë gjurmë në poezi dhe pikturë.

Në vitin 1998, ai la jetën e emigrantit në Zvicër dhe iu përgjigj thirrjes së atdheut, duke iu bashkuar radhëve të UÇK-së, ku u shqua si komandant i respektuar dhe strateg i guximshëm i luftës. Pas thyerjes së kufirit në Koshare, ra heroikisht në vendin e quajtur “Rrasa e Zogut”, duke hyrë përgjithmonë në historinë e lirisë së Kosovës.

Brigada 138 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbante emrin e tij, si dëshmi e trashëgimisë së tij ushtarake dhe morale, ndërsa në Gjilan është ngritur edhe shtatorja e tij, si simbol i qëndresës dhe sakrificës.

Agim Ramadani – Katana mbetet një nga figurat më të ndritura të luftës së Kosovës, emër që lidhet pazgjidhshmërisht me lirinë dhe idealin e saj.