​Komuna e Prishtinës: Largimi i fotografisë së Rugovës dhe vendosja e tij është provokim

18:03 | 16 Shkurt 2016
M. A.

Fotografia e presidentit Ibrahim Rugova e cila qëndroi për shumë vite në sheshin “Zahir Pajaziti” u largua sot. Por largimi i saj nuk ishte për kohë të gjatë pasi që pas pak u vendos fotografia e njëjtë e re me një kualitet më të mirë.

Këtë “aksion” e mori Ministria e Kulturës e cila sipas komunës së Prishtinës nuk ka marrë leje për këtë veprim.

Komuna e Prishtinës ka thënë se zyra e kryeministrit nuk ka bërë kërkesë për ta larguar apo rivendosur fotografinë e presidentit Ibrahim Rugova. Zyrtarja për informim në komunën e Prishtinës tha se kjo paraqet një provokim një ditë para protestës së thirrur nga opozita

 

“Komuna e Prishtinës ka pranuar një kërkesë nga zyra e kryeministrit për dekorimin e sheshit ‘Nëna Terezë’ dhe vendosjen e binës në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ përpara ditës së 17 shkurtit. Por në kërkesë nuk është specifikuar kërkesa për largimin apo rivendosjen-ndërrimin e fotografisë së Ibrahim Rugovës e cila gjendet në hapësirë publike në sheshin ‘Zahir Pajaziti’. E dimë që është e rregulluar me ligj shfrytëzimi i hapësirave publike të jetë në dakordim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike. Në këtë rast zyra e Kryeministrit nuk ka paraqitur kërkesë as nuk ka marrë pëlqim që ta marrë një veprim të tillë. Komuna e Prishtinës konsideron se kjo në fakt paraqet një provokim një ditë para protestës gjithëpopullore”, tha Mullafazliu.

Por deputeti i radhës së LDK-së Blerim Grainca për KosovaPress tha se fotografia e presidentit Ibrahim Rugova është larguar për t’u vendosur e re. Por sa i përket largimit të saj ai tha se këtë veprim e ka marrë Ministria e Kulturës e cila sipas tij nuk ka nevojë që të marr leje për një veprim të tillë.

 

“Vendosja e fotografisë së re të Presidentit Ibrahim Rgova ka zgjua r mjaft inetersim të madh ng qytetarët e Prishtinë dhe ky është shembulli më i mirë për respektin e madh që gëzon babai i Pavarësisë së Kosovës. Kjo fotografi me sa e kuptuam tani ne, është vendosur nga Ministria e Kulturës në emër të përgatitjeve që po bëhen për festimin e pavarësisë. Shqetësimet e qyetarëve se ajo fotografi po hiqet shoh, kjo është hequr nga Ministria e Kulturës për të vënë re edhe më bukur. Ministria në kuadër të përgatitjeve nuk ka nevojë të bëjë paralajmrime të veçanta. Andaj, nuk duhet me pa si shqetësim, por si një vendosje të një fotografie më të bukur”, tha Grainca.

Fotografia e presidentit Ibrahim Rugova ishte vendosur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në nderim të tij.

Shpërndaje në rrjete sociale