Prokurorja: Naim Murseli kreu vrasje makabre para syve të fëmijëve të mitur

10:22 | 17 Prill 2026
R J

Në fjalën përfundimtare për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj-Murselit, prokurorja Javorka Perlinçeviq ka bërë deklarata të rënda ndaj të akuzuarit Naim Murseli, duke e cilësuar krimin si makabër dhe të kryer para syve të fëmijëve të mitur.

Sipas saj, në momentin e ngjarjes tragjike, dy fëmijët e çiftit kishin vetëm 4 dhe 6 vjeç. Prokurorja theksoi se mizoria e rastit rëndohet edhe më shumë nga fakti se vrasja ndodhi në praninë e tyre.

Ajo shtoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor, dëshmitarët kanë përsëritur deklaratat e dhëna më herët, ndërsa vëmendje e veçantë iu kushtua dëshmisë së vëllait të viktimës, Leonard Ademaj, i cili rregullisht i viziton fëmijët në Suedi.

Sipas prokurores, Leonardi ka dëshmuar se gjatë një vizite, djali më i madh, në prani të psikologut, ka thënë: “Hajni e futi dorën dhe i bëri mamit bam”.

Po ashtu, është bërë e ditur se fëmijët refuzojnë të gjitha thirrjet telefonike që u mundësohen nga Qendra për Punë Sociale në Suedi për kontakt me babanë e tyre.

Në dëshminë e tij, Leonardi ka deklaruar gjithashtu se fëmijët kanë treguar se Naimi e kishte mbajtur Liridonën në krah, pretendim që sipas prokurores përputhet edhe me gjetjet e ekspertit të mjekësisë ligjore.

Rasti po vazhdon të ndiqet me interes të madh nga opinioni publik.