Abdixhiku, Kurtit: Je vonuar dy vjet për hartimin e draft-statutit të Asociacionit

14:34 | 22 Dhjetor 2023
A Z

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është vonuar dy vjet për ta hartuar draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Abdixhiku ka thënë se LDK dhe të gjithë miqtë e Kosovës ka dy vite që i kërkojnë Kurtit ë të hartojë draft statutin e Asociacionit, si një dokument të brendshëm të Kosovës dhe si obligim ndërkombëtar.

“Ka plot dy vite që ne, LDK, dhe gjithë miqtë më të afërt të Kosovës, që i kërkojmë Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e ‘kryeministrit të shtetit të përkohshëm’, që të hartojë draftin e statutit të Asociacionit, si dokument i brendshëm i Kosovës. Si obligim ndërkombëtar i Kosovës. Ka dy vite që ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm’, i ulur në tavolinë dialoguese me tre mosnjohjes të tjerë shteti, që ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë”, ka theksuar ai.

“Në seancën e 3 nëntorit, e kuptuam arsyen. Na tha, ‘nuk kam dashur të shkruaj një dokument të tillë, meqë kam qenë i bindur se ndërmjetësuesi më pas do të sillte një mes të dokumentit të Kosovës dhe atij të Serbisë’”, ka thënë më tej i pari i LDK-së.

Sipas Abdixhikut, qëndrimi i sotëm i Kurtit për ta shkruar Draftin e Asociacionit vitin e ardhshëm është shumë i vonuar dhe kjo vonesë sipas Abdixhikut është e kushtueshme meqë thotë se Kurti “e ka pranuar autnominë”

“Se qenka çështje e brendshme e jona. E paska kuptuar nga ndërmjetësuesi. Dy vjet pas. Vonë. Shumë vonë. E dëmshme kjo vonesë. E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga “kryeministri i shtetit të përkohshëm” dhe Presidenti i Serbisë”, ka thënë ai.

“A e kuptoni se sa pak di? A e kuptoni se sa e dëmshme është kjo vonesë e tij. Paqëndrueshmëria e tij është thelbi i pasigurisë! Padituria e tij është çmimi që paguajmë sot dhe nesër të gjithë”, ka shkruar Lumir Abdixhiku në Facebook.

 

Shpërndaje në rrjete sociale