141 aksidente, mbi 5 mijë gjoba trafiku gjatë prillit në rajonin e Ferizajt

15:22 | 9 Maj 2026
Q L

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë muajit prill 2026, në rajonin e Ferizajt, që përfshin komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, janë raportuar gjithsej 141 aksidente trafiku.

Sipas policisë, 56 aksidente kanë qenë me lëndime, ku janë lënduar 82 persona, ndërsa 85 aksidente kanë qenë vetëm me dëme materiale.

Krahasuar me muajin prill të vitit 2025, kur ishin raportuar 154 aksidente, numri i aksidenteve këtë vit ka shënuar rënie prej 8.4 për qind.

Po ashtu, gjatë muajit prill 2026, policia rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 5.916 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion dhe ka hequr 139 patentë shoferë për shkelje të rënda.

Ndërkaq, në prill të vitit 2025 ishin shqiptuar 5.737 gjoba, që paraqet rritje prej 3.1 për qind këtë vit.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë aktivitetet me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe u ka bërë thirrje shoferëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit.

Qytetarët janë ftuar të raportojnë kundërvajtjet përmes aplikacionit Lajmëro Policinë ose në numrat 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.

Shpërndaje në rrjete sociale