Ambasadorja franceze në Kosovë: Me pëlqejnë byrekët, rinia është e mahnitshme

11:04 | 2 Janar 2022
F.T

Tradita, kultura, atmosfera, rinia, ahengjet e shumta kanë bërë që ambasadorja e Francës në Kosovë Marie-Christine BUTEL të ndjehet si në shtëpi.

Përmes një interviste për arbresh.info, ambasadorja e Francës në Kosovë, ka treguar në detaje për përvojën e saj në Kosovë qysh nga viti 2019 kur edhe ka pranuar detyrën.

Ndërkaq në këtë intervistë të realizuar ambasadorja përmendi ndotjen si një nga gjërat që ajo do donte të mos ta shihte më në Kosovë.

E ndërkaq urimi i saj për Kosovën ishte për një të ardhme evropiane.

Çka ju ka pëlqyer më shumë kur keni ardhur në Kosovë? Cila ishte përshtypja juaj e parë, dhe sa është e ndryshme atmosfera nga vendi juaj?

Thjesht, njerëzit, të rinjtë. Menjëherë më bëri përshtypje vitaliteti i qytetit të Prishtinës. Baret dhe restorantet e shumta ishin të mbushura, veçanërisht të premteve në mbrëmje dhe në fundjavë. Gjithçka ndryshoi me izolimin gjatë pranverës 2020. Nuk jam e sigurt se qyteti e ka rikthyer këtë atmosferë, për shkak të pandemisë, përveç sigurisht verës së kaluar, gjatë së cilës argëtimi në mbrëmje, në rrugë, ishte absolutisht i mahnitshëm.

Parisi është gjithashtu një qytet shumë i gjallë. Për këtë arsye, si dhe për begatinë e kulturës dhe arkitekturës së tij, turistët e vlerësojnë aq shumë. Por, është gjithashtu një qytet shumë më stresues.

Cila ka qenë fjala e parë shqip që e keni mësuar dhe sa e vështirë është gjuha shqipe për ta mësuar?

Kam ndjekur një kurs fillestar të shqipes në Paris, përpara se të merrja postin tim në Prishtinë. E kuptova shpejt se ishte një gjuhë e vështirë. Për fat të keq, për shkak të mungesës së kohës, nuk munda të vazhdoj pasi mbërrita në Prishtinë. Bashkëshorti im ka treguar më shumë kurajo dhe këmbëngulje se unë, që prej gati dy vitesh e gjysmë vazhdon të mësoj shqip në Aleancën Franceze në Prishtinë. Nuk do të mund ta shpjegoja përse, por fjalori im në shqip ka të bëjë kryesisht me ushqimin: ëmbëlsirat, akulloret, mollët, kumbullat dhe ftonjtë. Të paktën, këto i kam mbajtur mend më lehtë. Megjithatë, këto fjalë nuk po mund t’i lakojë.

Cili ushqim tradicional i Kosovës është më i preferuari i juaji?

Jam mjaft kurioze sa i përketë njohjes së kuzhinave të ndryshme në botë. Kuzhina ballkanike nuk bën përjashtim. Është një kuzhinë e thjeshtë, familjare dhe shumë bujare. Për shembull, më pëlqejnë shumë byrekët. Më bëjnë përshtypje shkathtësitë e grave kur i përgatisin. Përndryshe, e kam gjetur recetën për një ëmbëlsirë të Francës jugperëndimore që përdor saktësisht të njëjtën teknikë. Është gjithmonë befasuese që ka gjëra në kuzhinë që mund të ndahen në mënyrë universale dhe që kuzhina jo që nuk i ndanë njerëzit, por mund t’i bashkojë ata.

Çfarë do të donit të ishte ndryshe në Kosovë?

Ndotja. Ëndërroj një Kosovë pa qese plastike të varura nëpër pemë përgjatë rrugëve, pa shishe plastike në lumenj, pa deponi ilegale të mbeturinave… Natyra në Kosovë do të mund të ishte shumë më e bukur!

Cilat janë ngjashmëritë në mes të Kosovës dhe Francës që ju bëjnë të duken si në shtëpi?

Në Kosovë ndihesh totalisht në Evropë, kur je në restorant, kur ecën sheshit Nënë Tereza… Thjesht, sepse Kosova është në Evropë. Megjithatë, unë nuk jam duke kërkuar këtu ato gjëra që i ngjajnë Francës, por përkundrazi ato që e dallojnë nga ajo. Është shumë më interesante të zbulosh një kulturë tjetër.

A do të donit të jetonit në Kosovë pas përfundimit të detyrës suaj si ambasadore?

Me bashkëshortin tim, ne kemi një shtëpi në Bourgogne, Francë. Kur të përfundoj misionin tim në Kosovë, do të mundohem ta shfrytëzoj atë maksimalisht, ka thënë Ambasadorja për arbresh.info.

Si i festoni festat e fund vitit, dhe çka nuk mungon asnjëherë në tavolinën tuaj?

Pushimet e Krishtlindjeve do t’i kaloj në Prishtinë dhe në fund të vitit do të kthehem në Francë. Nuk do të na mungojë asgjë për darkën e Krishtlindjes, edhe pse ka disa produkte që më pëlqejnë që nuk mund t’i gjejmë në Prishtinë. Shefi i kuzhinës Christophe, i cili tashmë ka disa vite që vjen në Kosovë për të mbajtur trajnime të përgatitjes së ushqimit, thotë se arti i gatimit është përdorimi i përbërësve nga produktet vendore. Në këtë aspekt nuk do të më mungojë asgjë thelbësore, përveç familjes sime, fëmijëve të mi që janë në Francë.

Urimet tuaja për Republikën e Kosovës?

Një e ardhme evropiane.

Shpërndaje në rrjete sociale