10 hapat deri në konstituimin e Kuvendit

18:16 | 1 Prill 2025
E.H

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka treguar 10 hapat deri në konstituimin e Kuvendit, në seancën që presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka caktuar më 15 prill.

Me anë të një postimi në Facebook, Cakolli tha se kjo seancë nuk ka as fjalime e as debat derisa pesë ditë përpara, Konjufca duhet të thërrasë takim me krerët e partive, për të diskutuar rendin e ditës dhe ndarjen e vendeve në sallë.

Seanca duhet të drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë dhe ai më i riu.

Postimi i plotë:

1. Seanca konstituive, e thirrur nga Presidentja Osmani, nuk është si seancat e zakonshme. Nuk ka fjalime, as nuk ka debat. Është një seancë procedurale, por vendimtare drejt formimit të institucioneve që burojnë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

2. Përgatitjet për këtë ditë i takojnë Kryetarit të legjislaturës së kaluar, Glauk Konjufcës, i cili së paku pesë ditë para seancës duhet të thërrasë një takim me krerët e partive që kanë fituar ulëse në Kuvend, për të diskutuar rendin e ditës dhe ndarjen e vendeve në sallë. Nëse nuk e bën, seanca mbahet gjithsesi në datën që ka caktuar Presidentja.

3. Por seancën nuk do t’a kryesojë Glauk Konjufca. Ajo do të drejtohet përkohësisht nga deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga më i riu.

4. Fillimisht, çdo parti cakton një anëtar në Komisionin e Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve. Ky komision kontrollon nëse në sallë ka kuorum dhe nëse të gjithë deputetët kanë mandate të vlefshme. Komisioni do të udhëhiqet nga një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

5. Pas prezantimit të raportit të komisionit, ai votohet nga Kuvendi. Vetëm pas kësaj vazhdohet me betimin.

6. Deputetët bëjnë betimin solemn dhe marrin zyrtarisht mandatin e tyre si përfaqësues të zgjedhur.

7. Më pas votohet Kryetari i ri i Kuvendit, që duhet propozohet nga partia më e madhe parlamentare. Zgjedhja bëhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Nëse zgjidhet, ai menjëherë merr drejtimin e seancës.

8. Tutje, vijohet me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve: tre propozohen nga tri partitë më të mëdha (LVV, PDK dhe LDK), një nga deputetët e komunitetit serb, dhe një tjetër nga deputetët e komuniteteve të tjera jo-shumicë. Kandidati i subjektit më të madh duhet të jetë i gjinisë tjetër nga Kryetari.

9. Seanca konsiderohet e përmbyllur – e rrjedhimisht Kuvendi i konstituar – vetëm pasi zgjidhen Kryetari dhe të gjithë nënkryetarët. E megjithatë, nuk ka asnjë afat të përcaktuae kohor për zgjedhjen e tyre, duke lënë hapësirë për zvarritje të procesit.

10. Por nëse seanca ndërpritet për çfarëdo arsyeje, pauza nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë./Arbresh.info.

LEXO EDHE:

Osmani cakton 15 prillin si datë për seancën konstituive të Kuvendit

Shpërndaje në rrjete sociale