Harrohet rishikimi i demarkacionit me Malin e Zi

08:25 | 10 Shkurt 2019
A Z

Po bëhen gati një vit nga ratifikimi i Marrëveshjes që përcakton kufirin me Malin e Zi dhe rishikimi i këtij kufiri i cili ishte arritur si marrëveshje nga presidentët e dyja vendeve, ende nuk ka filluar.

Kështu ka bërë të ditur për arbresh.info, kryetari i Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit, Shpejtim Bulliqi. Ai ka treguar se janë duke pritur që të marrin dritën e gjelbër nga Qeveria për të filluara edhe një herë rishikimin e kufirit, ndonëse nuk është optimist se do të mund të kthejnë serish brenda kufirit të Kosovës, dy pikat kontestuese.

“Nuk kemi filluar ende rishikimin e demarkimit me Malin e Zi. Presim që institucionet e vendit të hapin rrugë për të filluar këtë proces. Është bërë një marrëveshje mes dy presidenteve për këtë çështje dhe është obligative për zbatim.

Është Kulla dhe Qakori ku mendojmë se nuk është bërë mirë kufiri dhe presim që institucionet tona komfort agjendës të tyre dhe ne do të fillojmë t’i qasemi këtij problemi në momentin kur ata të jenë të gatshëm. Marrëveshja e dy presidenteve është për këtë çështje, por nuk e dimë a do të rishikohen këto dy pika a jo, mbetet të shihet”.

E rishikimi i këtij demarkacioni po shihet vetëm si konsum politik e jo diçka që do të mund të ndodh në realitet, thotë Faik Krasniqi, njohës i çështjeve politike.
“Demarkacioni me Malin e Zi është çështje e mbyllur. Gjoja rishikimi brenda dy viteve ishte vetëm për konsum të brendshëm politik, në mënyre që deputetët ta votonin, edhe pse edhe ata deputet e dinin fare mirë se Qakorri dhe Kulla kanë humbur, por që nesër të thoni se jemi mashtruar duke menduar që kjo çështje do të rishikohet”.

Krasniqi thotë se sa është fajtor kryeministri, Ramush Haradinaj, për humbjen e Qakorrit dhe Kullës, po aq fajtor janë edhe deputetet e Kuvendit të Kosovës.

“Aq sa është fajtor kryeministri Haradinaj për humbjen e Qakorrit dhe Kullës, sepse ishte më i zëshmi për këtë çështje, edhe pse Thaçi ishte ai që e kishte nënshkruar shume vite më parë, janë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës. Duhet të ndiqen edhe penalisht ata që me vetëdije të plotë kanë nënshkruar që Malit të Zi t’i falet territor. Në çdo vend të botës kjo do të ishte tradhëti kombëtare”.

E mendim pothuajse të njëjtë ka edhe analisti, Leon Duhanaj. Sipas tij nga kjo nuk mund të pritet se do të ketë ndonjë mrekulli në ndryshimin e kufijve.

“Për sa i përket çështjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është folur dhe spekuluar shumë dhe gjatë, sa që më shumë ka ndikuar në rritimin e qytetarëve, sa që kanë sjellur ndonjë qartësim. Për mendimin tim, me këtë temë më shumë është bërë poterë për konsum të brendshëm, se sa që ka pasur ndonjë kauzë të sinqertë. Tanimë që çështja është ratifikuar në Kuvend, nuk ka edhe shumë çfarë mund të bëhet. Ndoshta do të ketë ndonjë nismë, ndonjëherë për verifikim të kësaj marrëveshje, por se nuk besoj që në këto rrethana do të ndodhë ndonjë ndryshim. Ndoshta, bazuar në marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Malit të Zi, mund të ndodhë ndonjë aksion verifikues, megjithatë nuk mendoj që do të sjellë ndonjë vendim tjetër.”

Ndonëse pozita e Kosovës patë thënë se nga ky proces Kosova po humbë rreth 12 mijë hektarë tokë, deputetet e Kuvendit të Kosovës, më 80 vota për kanë miratuara demarkacionin më Malin e Zi në mars të vitit 2018./Vlora.Selimi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale