Ali Lajçi do të jetë i zëshëm edhe në mbrojtje të territorit gjatë demarkacionit me Serbinë

09:09 | 24 Shkurt 2019
A Z

Platforma për dialog e prezantuar nga ekipi negociator, po del të jetë problem për të marr votat e deputetëve opozitarë. Kjo për faktin se ata të cilët e kanë analizuar deri tash këtë platformë kanë gjetur disa çështje të cilat nuk ishte dashur të jenë pjesë e platformës.

Njëri prej tyre ishte i zëshëm edhe në mbrojtje të territorit të Kosovës gjatë përcaktimit të kufirit me Malin e Zi.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Ali Lajci, në një intervistë për arbresh.info, ka thënë se platforma me aq sa ka pa është mjaft e çuditshme, ai shton se brenda saj ka edhe terma për korrigjim të kufijve apo ndërrim të kufijve.

“Platforma ka ardhur, por seanca nuk po thirret. Ne e kemi lexua dhe kom pa se është një platformë e çuditshme. Në ketë platformë ka edhe synim tjetër siç është korrigjimi i kufijve, ndërrimi i kufijve dhe terme të tjera që janë anti kushtetues. Kjo Qeveri ka tri opsione të tjera ku tregon se kemi të bëjmë me disa grupe që kanë interes të ndarë dhe nuk janë vendime institucionale”.

Vendimi i cili po i pëlqen deputetit Lajçi, nga kjo Qeveri është vendosja e taksës ndaj Serbisë, përkundër se e quan të vonuar.

“Këtu kemi qasje politike e institucionale, këtu kemi një dialog që është 7 vite me efekte negative karshi Kosovës dhe tash vetë Serbia po e kushtëzon për shkak të taksës dhe kjo është absurde se është mjaft efektiv ky vendim i Qeverisë së Kosovës, unë mendoj se ka qenë vendim i vonshëm”.

Lajçi i cili dikur ishte deputet i AAK-së, thotë se kjo Qeveri aktuale është formuar për interesa klanore.

“Vetë futja dhe krijimi i kësaj Qeverie ka qenë kryekëput i interesave dhe klaneve të ndryshme dhe shmangies së interesave shtetëror. Hyrja në këtë koalicion ka qenë që nga fillimi krizë dhe vetëm është prit se kur do të shpërthej. Ky koalicion më shumë është në interes të klaneve se sa të Qeveris”, ka përfunduar ai./V.Selimi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale