Partitë opozitare, demantojnë deklaratat e zyrtarëve të partive në pushtet, se kriza politike po tejkalohet dhe se po bisedojnë me përfaqësues nga opozita për tejkalimin e kësaj krize.
Me gjithë thirrjet për kthim në Kuvend, partitë opozitare vazhdojnë ta bojkotojnë atë.
Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën, ka thënë për KosovaPress se ata do të vazhdojnë t’i bojkotojnë seancat e Kuvendit të Kosovës.
“Do të vazhdojmë bojkotin e seancave të Kuvendit të Kosovës. Sepse konsiderojmë që kjo legjislaturë, kjo mazhorancë, kjo Qeveri e ka humbur legjitimitetin dhe duhet të rikthehemi të gjithë së bashku tek sovrani, tek votuesi. Dhe pas zgjedhjeve do të kthehemi në seancat e Kuvendit të Kosovës. Ky është vendimi i Këshillit kombëtar, i kryesisë së Nismës për Kosovën”, tha Sherifi.
Ndërsa thirrjet e Veselit për kthim të opozitës në parlament, Sherifi i quan jo serioze, e të cilat po e thellojnë dhe më tej krizën.
“Atyre iu duket se po bëjnë punë përmes kësaj. Por në fakt vetëm sa po e thellojnë dhe më tej krizën. Mendoj që ata duhet t’i përgjigjen kërkesës së opozitës me oferta serioze, jo ofertë hajdeni të bisedojmë në Parlament. Sepse këto janë zëra që i dëgjojë ka një it. Megjithatë ata duhet seriozisht t’i qasen krizës politike dhe të bëjnë një ofertë partive opozitare vetëm për të shkuar në zgjedhje. Vetëm përmes ofertës për të shkuar në zgjedhje, mund të filloj zgjidhja e krizës politike. Të gjitha të tjerat janë sa për të bërë një deklaratë, sa për të pasur një qëndrim publik, të cilat i konsideroj jo serioze”, tha Sherifi.
Po ashtu ai hedh poshtë deklarimet që Veseli i bëri ditë më parë, se janë në bisedime me partitë opozitare. Ndërsa thotë se nuk ka kurrfarë bisedime me parti të në pushtet
“Ndërsa sa i përket asaj që qenkemi në bisedime, kjo nuk është e vërtetë. Nuk ka bisedime në mes të Qeverisë dhe partive opozitare. Ne kemi marrë pjesë në takime, të cilat kanë qenë të organizuara nga një OJQ nga Naim Rashiti. Nuk mund të konsiderohet si takim mes partive opozitare dhe atyre në pushtet. Por thjeshtë ne aty kemi shkuar dhe kemi shprehur pikëpamjen tonë dhe kemi thënë vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të parakohshme mund të përfundoj kriza. Kriza politike në vend nuk është duke u tejkaluar siç ata pretendojnë përmes këtyre takime. Sepse këto takime ne se paku nuk i konsiderojmë si takime me partitë e mazhorancës”, tha ai.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të qëndrojë e palëkundur në qëndrimet e veta. Kjo Lëvizje nuk ka heq dorë nga seancat e Kuvendit, por pjesëmarrja e tyre varet, nga temat që do të diskutohen në Kuvend. Zëdhënësi i Vetëvendosjes Frashër Krasniqi ka thënë për KosovaPress se ende nuk kanë marrë vendim për seancën e nesërme,nëse do të jenë pjesëmarrës apo jo.
“Lëvizja Vetëvendosje siç ka deklaruar edhe më herët, do të shqyrtojë pjesëmarrjen e saj në Kuvend varësisht prej rëndësisë së seancave që do të mbahen. Në seancat ku do të ketë diskutime, për çështje si Asociacioni dhe Demarkacioni, Trepça e të ngjashme, ne do të jemi aty për ta bërë rezistencën dhe kundërshtimin tonë intensiv, kundër këtyre projekteve të dëmshme. Kurse sa i përket seancës së nesërme, do ta diskutojmë në ndërkohë dhe shumë shpëjtë do të dalim me një vendim për këtë çështje”, tha Krasniqi.
Ndërsa mohon deklaratat e kryetarit të Kuvendit Ka dri Veseli, i cili ka deklaruar se po bisedohet me të gjitha partitë opozitare. Krasniqi thotë se nuk kanë aspak respekt për Veselin dhe assesi nuk do të pranonin të bisedonin me ta për tema tjera, përveç për zgjedhje.
“Lëvizja VV deri tash nuk ka zhvilluar asnjë diskutim me këdo nga subjektet e pushtetit. Aq më pak me Kadri Veselin, për të cilin nuk kemi aspak respekt. Qëndrimet tona i kemi të ditura tashmë. Lëvizja Vetëvendosje do të pranoj dhe do të jetë e gatshme që të ulet në diskutim me këdo prej faktorëve vendor por dhe ndërkombëtar, vetëm nëse tema dhe përcaktimi i diskutimeve, do të jetë data e zgjedhjeve. Pra nëse ulemi për të folur për datën e zgjedhjeve, nëse ulemi për të folur për zgjedhje të parakohshme atëherë do të jemi të gatshëm për të diskutuar. Por asnjë mënyrë nuk do të pranojmë të ulemi në këto rrethana me subjektet në pushtet, për të diskutuar për tema tjera, përveç të caktojmë datën e zgjedhjeve”, tha Krasniqi.
Nesër mbahet seancë e rregullt e Kuvendit në të cilën do të ketë diskutim për 14 pika.
Çmimi i arit thyen rekord historik, kapërcen për herë të par...
Hamza takon Malajn, flasin për forcimin e lidhjeve kombëtare...
Edi Rama takohet me homologun izraelit, Benjamin Netanyahu
Rreth 90 të lënduar kur rrufeja ra pranë një tubimi në mbësh...
KQZ ka shkatërruar materialet zgjedhore të zgjedhjeve lokale...
Zgjerim hetimesh për zgjedhjet e 12 tetorit kërkojnë 33 ish-...