​Mustafa: Kosova e përkushtuar për bashkëpunim ekonomik me Baden-Württembergun

15:52 | 25 Nëntor 2015
M. A.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit në Shtutgart ka marrë pjesë në një takim të përbashkët për ekonomi, ku ishte i pranishëm edhe ministri për Entin Federal, Evropë dhe Çështje Ndërkombëtare i Landit të Baden-Württembergut, Peter Friedrich, si dhe përfaqësues të bizneseve gjermane dhe kosovare që veprojnë në këtë land.

Në takim, ishin të pranishëm edhe ministrja e MTI-së Hykmete Bajrami, ministri i MZHE-së Blerand Stavileci dhe ministri i MPMS-së, Arban Abrashi, të cilët prezantuan mundësitë e investimeve të huaja dhe resurset ekonomike të Kosovës, transmeton Koha.net.

Kryeministri Isa Mustafa para të pranishmëve theksoi rëndësinë që ka për Kosovën bashkëpunimi me Baden-Württembergun, duke falënderuar për kontributin që Gjermania dhe ky land ka dhënë për zhvillimin e Kosovës.

“Dëshiroj të theksoj se gjatë kësaj periudhe ne kemi pasur investimet më të mëdha nga Gjermania në krahasim me vendet tjera të Bashkimit Evropian, po ashtu edhe me të gjitha vendet e tjera. Kanë qenë investime shumë të rëndësishme për ne në shumë fusha dhe me këtë ne kemi arritur që të zgjidhim shumë probleme që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe social në vendin tonë”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Mustafa ka theksuar se Kosova ka arritur të ndalë migrimin dhe është arritur që të kthehen shumica e njerëzve që kanë emigruar dhe se Qeveria po e përcjell me masa për zhvillimin ekonomik dhe për punësimin e njerëzve të rinj.

Duke folur për nënshkrimin e MSA-së kryeministri Mustafa tha se ajo mundëson pjesëmarrje në tregun evropian dhe e bën më konkurruese biznesin kosovar.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, foli për adresimin e problemit të papunësisë në Kosovë dhe përpjekjes për rritje ekonomike apo rritje të GDP-së.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, tha se është punuar në sektorin e energjetikës, si resurs për zhvillimin ekonomik, duke folur edhe për punën që po bëhet për lidhjen e marrëveshjes me një konsorcium amerikan, për ndërtimin e një termocentrali i cili do të bëjë të mundur plotësimin e nevojave të ekonomisë dhe nevojat e qytetarëve. “Por, po ashtu jemi të interesuar që të kemi investitorë gjermanë për të cilët kemi biseduar edhe gjatë këtij viti si dhe shohim mundësinë e revitalizimit te termocentraleve ekzistuese, të cilat i kemi në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa.

Duke folur për ndihmën e dhënë në të gjitha fazat nga Gjermania dhe Landi i Baden Wurttembergut, kryeministri Isa Mustafa tha se tashmë Kosova nuk është e interesuar për ndihma nga Gjermania, por që të ketë bashkëpunim reciprok në interes të zhvillimit ekonomik, të bizneseve dhe në interes të dy qeverive.

Ministri për Entin Federal, Evropë dhe Çështje Ndërkombëtare i Landit të Baden-Württembergut, Peter Friedrich, tha se ky land është shumë i lidhur me gjithë Ballkanin, por në veçanti me Kosovën.

Ministri Peter Friedrich tha se ekonomia kosovare ka potencial për t’u zhvilluar, duke shprehur dëshirën që ky potencial të shfrytëzohet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

“Jo vetëm pse ndjejmë afërsi me Kosovën, por mendojmë se ka edhe shumë mundësi që më shumë projekte të investohen në Kosovë . Kosova është i shtet i ri i cili është orientuar drejtë Evropës dhe këtë e ka qëllim madhor”, tha ministri Friedrich, duke veçuar nënshkrimin e MSA-së që paraqet bazë, gurthemel për rrugëtimin e mëtejmë.

Ai po ashtu tha se Kosova dhe Ballkani është një ndër qëllimet e rëndësishme të Baden-Württembergut sidomos në mbështetjen e zhvillimit ekonomik.

Ministri Peter Friedrich, po ashtu ka vlerësuar pritjet për rritje të madhe të ekonomisë në Kosovë dhe modelin e rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për zhvillimin e vendit.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka prezantuar mundësitë e investimeve në Kosovë. Në këtë kontekst, ministrja Bajrami theksoi pozitën strategjike, regjimin tregtar liberal, progresin në implementimin e reformave dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes të konfirmuar nga “Doing Bussines 2016” i Bankës Botërore. Ministrja e MTI-së, po ashtu i njoftoi bizneset me legjislacionin e favorshëm, marrëveshjet ndërkombëtare, reformat fiskale dhe instrumentet për promovimin e investimeve, shpenzimet operative të ulëta, mundësitë për investime në sektorët të ndryshëm, duke përshirë teknologjinë informative, bujqësinë, përpunimin e mineraleve dhe metaleve, energjinë, tekstilin, përpunimin e drurit, turizmin dhe përkrahjen e Qeverisë për investitorët e huaj.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, prezantoi mundësitë e investimeve në tre sektorë: energji, miniera dhe teknologji të informacionit.

Ministri Stavileci potencoi nevojën e investimeve në këto fusha, të cilat edhe krijojnë mundësi integrimi në rrjetet rajonale dhe evropiane, si dhe mundësi krijimi të vendeve të reja të punës, sidomos fusha e teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve elektronike.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, foli për politikat dhe strategjitë për punësim, mirëqenie sociale, pensione dhe aftësime profesionale në Kosovë. Ministri Abrashi në fjalën e tij veçoi kërkesën e tregut të punës, skemat pensionale, qendrat e aftësimit profesional, sigurinë në punë, inspektoratin e punës, dialogun social, amendamentimin e ligjeve me theks në përmirësimin e zbrastësirave ligjore.

Abrashi, po ashtu, theksoi mundësitë e bashkëpunimit me landet në fushën e trajnimeve profesionale dhe migrimit qarkor, i cili mundëson aftësim dhe punësim social dhe fusha të tjera të bashkëpunimit.

Përfaqësuesit e bizneseve më pas shtruan pyetje të ndryshme që kryesisht lidheshin për fushën e energjisë, energjinë e renovueshme, efiçiencën, për projektet e mesme dhe të vogla, lidhur me benefitet e MSA-së si dhe për çështjet e punësimit e të tjera.

Shpërndaje në rrjete sociale