Fatmir Limaj ka thënë se procesi i tij gjyqësor për rastin MTPT është tërësisht politik, duke shtuar se një gjë e tillë do të dëshmohet në seancat e ardhshme të këtij procesi.
Këtë ai e tha sot pas seancës gjyqësore, në të cilën janë harmonizuar datat e seancave të ardhshme të gjykimit në mes të prokurorit, avokatëve dhe të akuzuarve.
Limaj në këtë rast tha Prokuroria ka abuzuar me ligjin duke zbatuar urdhrat politikë, dhe sipas tij të gjithë do të jenë dëshmitar për këtë gjë.
“Ju do të jeni këtu dhe do ta shihni dy gjëra se qe 5 vjet e 8 muaj vet emri i aktakuzës tregon aktin simbolik, përveç se nuk është e paraparë me Kodin e Procedurës Penale në Kosovë ky emërtim i aktakuzës. Por për mua emërtimi është shumë interesant, aktakuzë e konsoliduar. Imagjinoni, 5 vjet e 8 muaj prokuroria nuk ka mundur të konsolidojë një aktakuzë, ka pasur sot nevojë ta quaj këtë aktakuzë e konsoliduar. E dyta, ju do ta shihni se me urdhër politik prokuroria ka hapur hetimet, ka bërë ndjekje, dhe tash është koha në gjykatë të vërtetojmë faktet. Ne do ta vërtetojmë që kanë qenë urdhra politik për të hapur hetime”, tha Limaj.
E gjatë seancës gjyqësore, pati diskutime të shumta për shkak se avokatët mbrojtës të të akuzuarve nuk e pranonin termin aktakuzë e konsoliduar, e cila sipas tyre është një term i ri që nuk është përmendur në seancat e mëparshme. Ata gjithashtu shtuan se këtë term nuk e njeh as ligji dhe me këtë gjë po bëhet një rast krejtësisht i ri.
Avokati i Nexhat Krasniqit, Bajram Tmava, tha se kjo çështje është thelbësore e jo vetëm çështje teknike.
“Aktakuzat me vendim të gjykatës janë bashkuar, është formuar një lëndë penale. Çka ka nevojë aktakuzë e konsoliduar kur vendimi i gjykatës i ka bashkuar këto lëndë. Bashkimi i lëndëve është i paraparë me ligj, prandaj do ju kisha lutur të shqyrtohet se kjo nuk është çështje teknik, por thelbësore dhe prokuroria speciale është dashur të na jep një pasqyrë se cilat elemente janë hequr nga rasti i parë dhe i dyti dhe cilat janë ndryshimet. Pa e cilësuar as si aktakuzë e konsoliduar, pa i jep emër”, tha Tmava.
Për këtë ata kërkuan që kjo seancë e procesit gjyqësor të pezullohet.
Por, këtë nuk e përkrahu Trupi Gjykues, i cili pas një konsultimi të shkurtër vendosën që t’i japin të drejtë prokurorit të kësaj çështje, duke thënë se ky term i ri nuk bën që aktakuza të jetë e re.
Prokurori, Charls Hardway, tha se me fjalën konsolidim ata nuk nënkuptojnë ndonjë ndryshim në këtë aktakuzë, por vetëm bashkimin e lëndëve të të ashtuquajtura aktakuza MTPT 1 dhe MTPT 2.
“Fjala konsolidim do të thotë që të bashkohen rastet dhe aktakuzat e paraqitura nga Prokuroria në Gjykatë nuk ndryshon akuzat për asnjërin nga të pandehurit që janë këtu sot. Është përmendur shumë urdhri i Apelit i lëshuar me 23 dhjetor 2014, posaçërisht me termin e ndryshuar, por në kohën kur është lëshuar ai vendim kanë marrë parasysh vetëm rastin që merreshim në atë kohë MTPT 1 dhe Prokuroria i është përmbajtur vendimit të Gjykatë së Apelit të 23 dhjetorit të vitit ta kaluar, që ka përfshirë jo vetëm rastin MTPT 2, por edhe rastin MTPT 1. Unë them se vet termi i konsoliduar është i pavend për këto procedura”, tha Hardway.
Por edhe avokati i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj, tha se kjo aktakuzë është e paligjshme, duke shtuar se edhe pse Trupi Gjykues përkrahi mendimin e prokurorit, ata do të anki mojnë këtë vendim në rast se do të jetë e nevojshme.
“Në këtë fazë Trupi Gjykues përkrahi mendimin e prokurorit, ne nuk mund ta ankimojmë, por sigurisht se do ta ankimojmë këtë vendim nëse eventualisht do të jetë e nevojshme në ankesë kundër akt-gjykimit, edhe pse unë jam i bindur që ky proces gjyqësor do të përfundojë me lirimin e zotit Limaj nga të gjitha aktakuzat, sepse prokurori së bashku me aktakuza nuk ka dorëzuar asnjë provë e cila do të kishte vërtetuar përtej një dyshimi të arsyeshëm se zoti Limaj i ka kryer veprat penale për të cilat edhe është i akuzuar”, tha Rrecaj.
Rrecaj shtoi se Limajt i janë shkelur vazhdimisht të drejtat në procedurë penale, pasi që, sot për herë të parë në afër 6 vjet, u mbajt seanca e parë e ashtuquajtur seancë statusore për përgatitjet teknike. Sipas tij, kjo shkel në mënyrë të vrazhdë parimin e gjykimit në një kohë të arsyeshme që është e garantuar me nenin 5 të Kodit të procedurës penale, nenin 31 të Kushtetues, dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane të të drejtave të njeriut.
Përveç kësaj në këtë seancë u vendos që seancat e ardhshme gjyqësore të mbahen më datën 18 nëntor, duke filluar nga ora 10:00, pastaj më 19 nëntor nga ora 10:45, më 26 nëntor nga ora 9:00.
Seanca gjyqësore do të ketë edhe me datë 3, 4, 9, 10, 11, 14 dhe 16 dhjetor nga ora 10:00.
Limaj, dhe 4 bashkëpunëtorët e tij akuzohen për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës, marrje ryshfeti e keqpërdorim të autorizimeve.
Aktakuzat janë për ish-ministrin e Transportit, Fatmir Limaj, këshilltarin e tij, Endrit Shala, shefin e prokurimit, Nexhat Krasniqi, biznesmenin Florim Zuka dhe truprojën e Limajt, Shpëtim Telaku
Trump kërcënon të aktivizojë “Aktin e Kryengritjes”
Arrestohet brenda pak orësh i dyshuari për vjedhjen e një ve...
Po e pyet ChatGPT-në për shëndetin? Ja kur është ide e mirë ...
Zjarr në një shtëpi në Gracë të Vushtrrisë, dyshohet për një...
Ministri i Jashtëm danez: Blerja e Grenlandës nga SHBA jasht...
Alba flet për Limin dhe Dolcen: Ndihem e shkatërruar, s’ësht...