​Balaj: Një profil i rrejshëm në Facebook po shantazhon me emër tim

20:12 | 2 Dhjetor 2020

Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të PTK-së, Lamih Balaj, ka bërë të ditur se një profil i rrejshëm në rrjetin social Facebook po shpërndan shantazhe në emër të tij dhe se ai ka paraqitur rastin në Policinë e Kosovës.

Ai në një postim në Facebook i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit t’i hetojë personat, që sipas tij, kanë nënshkruar kontrata të dëmshme në Telekomin e Kosovës.

“Shkrimet me Fake profil në “Facebook”, s’munden të na shantazhojnë me shpifje, pasi unë dhe kolegët e mi jemi, do të mbesim të pozicionuar në anën e drejtë dhe presim që drejtësia do ta tregoj të vërtetën. Frika nga drejtësia s’i duket po i detyron disa persona te hapin Profile të rrejshme. Ne emër të FSP-PTK-s, sot kemi hapur rast në Policin e Kosovës ndaj profilit të rrejshëm dhe shantazhues. Edhe një herë kërkoi nga Prokuroria e Shtetit t’i hetojë të gjithë ata që kanë nënshkruar kontrata të dëmshme që e kanë sjell Telekomin në këtë gjendje, gjithashtu edhe mua nëse e shohin të arsyeshme”, ka shkruar Balaj.

Ai gjithashtu i ka bërë thirrje ‘personit që po paraqitet me profilin e tij dhe ta tregojë fytyrën e vërtetë’.

“Unë jam publikisht duke u përball me krimin dhe shantazhuesit dhe të gjitha faktet që ka ndaj meje dhe FSP-PTK s t’i dërgoj në Prokurorin e Shtetit dhe të përballemi me drejtësinë. Asnjëherë s’jam frikësuar ndaj askujt, çdo gjë që e kam bërë e kam bërë me fytyrë, emër e mbiemër. Prandaj, edhe personit që e atakon emrin tim, i bëj thirrje, ta bëjë këtë publikisht dhe mos të fshihet”, përfundon Balaj.

Lajmet më të lexuara