Në zemër të xhunglës së Chiapas-it, Meksikë, arkeologët kanë zbuluar Sak-Bahlán, një qytet të humbur që për më shumë se një shekull shërbeu si bastioni i rezistencës së majave lacandonë ch’ol kundër pushtimit spanjoll.
Lajmi u konfirmua nga Instituti Kombëtar i Antropologjisë dhe Historisë së Meksikës, i cili e cilëson këtë zbulim si një nga më domethënësit në dekadat e fundit.
Sak-Bahlán, që në gjuhën maja do të thotë “Toka e Jaguarit të Bardhë”, u themelua në vitin 1586, pasi spanjollët pushtuan kryeqytetin Lakam Tun.
Qyteti u bë strehë e kryengritësve, të cilët herë tregtonin me aleatët e spanjollëve, e herë i sulmonin e i plaçkitnin. Ky ekuilibër i brishtë u thye në fund të shekullit XVII, kur ushtritë koloniale, me ndihmën e disa grupeve maja, arritën ta pushtonin pa luftë në vitin 1695. I vendosën emrin “Nuestra Señora de los Dolores”, por pak dekada më vonë qyteti u braktis, shkruan A2 CNN.
Zbulimi i tij sot nuk ishte rastësi. Arkeologu Josuhé Lozada Toledo analizoi kronika të shekullit XVII, përfshirë një letër të fratit Diego de Rivas, dhe përmes teknologjisë së hartëzimit digjital përcaktoi zonën ku mund të ndodhej. Kërkimet çuan ekipin në Rezervatin e Biosferës Montes Azules, ku gjetën struktura guri, vegla obsidiani, qeramikë dhe mbetje të një kishe koloniale.
Sak-Bahlán ishte kryeqyteti i parafundit maja që ra përpara spanjollëve, vetëm pak vite para pushtimit të Nojpetén-it në vitin 1697. Sipas ekspertëve, zbulimi hedh dritë mbi historinë e rezistencës, identitetin dhe jetën e përditshme të komuniteteve indigjene, duke u dhënë atyre një vend të ri në rrëfimin e historisë.
Numërohen 45% e votave për deputetë, Kurti e kalon 105 mijës...
Vashat e Kosovës fitojnë bindshëm ndaj Gjibraltarit, siguroj...
FBI dhe autoritetet kanadeze asistojnë Policinë e Kosovës në...
“Na bëni të qeshim më shumë se Barcelona” – Atletico i...
Trump: SHBA duhet të përgjigjet pas rrëzimit të helikopterit...
Kosovari dënohet me burgim të përjetshëm në Gjermani, akuzoh...