Objektet personale të disidentes antikomuniste Musine Kokalari do të ekspozohen në shtëpinë e gjyshërve të saj në Gjirokastër, e cila është kthyer këtë vit në memorialin “Muza ime” , nga një prej pasardhësve të fisit Kokalari, Arjeta Kokalari.
“Janë 5 valixhe të mëdha me objekte personale të Musinesë, koleksione artikujsh dhe fotografi, dorëshkrime , materiale etnografike, etj”, i tha Zërit të Amerikës Arjeta Kokalari, që krijoi qendrën “Muza ime”.
Dy të afërm Bibika dhe Palton Kokalari i morën objektet 41 vjet më parë nga vetë Musineja, që vuante në Burrel internimin nga regjimi komunist me porosinë e saj për t`ia dorëzuar muzeut etnografik të Gjirokastrës.
Dy vjet më parë Bibika Kokalari i dhuroi Arkivit të Shtetit 3112 dorëshkrimet e Musine Kokalarit, ndërsa objektet etnokulturore të Musinesë ia dorëzoi Bashkisë së Gjirokastrës me kushtin e vetëm që ato të mos ekspozoheshin në Muzeun Etnografik, i cili gjendet në shtëpinë e diktatorit komunist Enver Hoxha.
“Në atë shtëpi nuk i çoj pasi ai ishte xhelati që i mori tërë rininë dhe tërë jetën Musinesë”, deklaroi atëherë Bibika Kokalari.
Në bashkëpunim me bashkinë e Gjirokastrës, Bibika Kokalari i tërhoqi së fundi objektet për t`ia dorëzuar memorialit “Muza ime” në mungesë të ekspozimit, pasi shtëpia ku Musine Kokalari kaloi fëmijërinë në Gjirokastër u dogj disa vite më parë dhe nuk është restauruaar më pas, megjithë premtimet e autoriteteve shqiptare të kulturës.
Musine Kokalari është shkrimtarja e shquar disidente shqiptare që vuajti në 40 vite burgjet dhe internimet e regjimit komunist në Shqipëri./voa/
Presidenca dënon ashpër thirrjet për “pushkatim” ndaj Presid...
Bashkim Krasniqi emërohet zëvendësministër në Ministrinë për...
Prishtinë: Për një javë vetura inteligjente e policisë evide...
Qëllohet me 10 plumba shtëpia e Rihanna-s në Beverly Hills, ...
Kroacia fillon trajnimin ushtarak të detyrueshëm dymujor
Shpërthime të fuqishme dëgjohen në Dubai