Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka ndarë një mesazh ngushëllimi në lidhje me ndarjen nga jeta të mjeshtrit të valleve, Besim Zekthi.
Meta shkruan në facebook se Zekthi i dha valles shqiptare të gjithë shkëlqimin e merituar duke u duartrokitur dhe vlerësuar nga shumë gjenerata.
Meta shton se arti shqiptar humbi sot një prej personaliteteve më të shquara, që me krijimtarinë e tij koreografike, e bëri edhe më të famshëm identitetin dhe kulturën kombëtare në mbarë botën.
Meta: Ndarja nga jeta e emblemës dhe solistit të pakrahasueshëm të Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të Kombit, Besim Zekthi është thellësisht trishtuese. Falë talentit të spikatur dhe interpretimit të lartë e virtuoz si askush tjetër, ai i dha valles shqiptare, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, të gjithë shkëlqimin e merituar, duke u duartrokitur dhe vlerësuar nga shumë gjenerata.
Arti shqiptar humbi sot një prej personaliteteve më të shquara, që me krijimtarinë e tij koreografike, e bëri edhe më të famshëm identitetin dhe kulturën kombëtare në mbarë botën. Edhe në periudhën më të errët të izolimit të vendit, virtuoziteti i Besim Zekthit dhe i artistëve si ai, arriti të lartësonte kulturën e popullit shqiptar dhe identitetit tonë evropian edhe në skenat më prestigjioze botërore, ku mori të gjithë vlerësimin e merituar.
Falë emocioneve të papërshkruara në interpretimin e valleve ai rriti krenarinë, optimizmin dhe vetëbesimin e kombit tonë për ditë më të mira, mbështetur fort në rrënjët e traditave dhe vlerave më të mira kulturore e artistike të trashëguara brez pas brezi. Përjetësisht krenarë e mirënjohës për kontributin e Besim Zekthit për promovimin denjësisht të pasurisë sonë kulturore kombëtare, duke i përçuar vlerat e saj tek brezat e artistëve të rinj dhe duke u shndërruar në një shembull të përjetshëm frymëzimi. Ngushëllimet më të përzemërta familjes Zekthi, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe mbarë komunitetit të artistëve. Vepra dhe kujtimi i Tij do të mbeten të paharruara!
Gjesti pas publikimit të këngës: Jom mundu me kursy familjen...
E dhimbshme: Nesër varroset Hekuran Hoxha, biznesmeni nga Gj...
“Memories”, Gjesti publikon këngën më emocionale të tij
Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëron për pasoja të rënd...
Dogana dhe AKI me aksion kundër barnave të kontrabanduara në...
Çka u konfiskua në aksionin e Antidrogës në Suharekë? – poli...