Ish-Deputeti i LDK-së zhvilloi takime të rëndësishme në tri institucione të rëndësishme të SHBA-ve

10:00 | 20 Maj 2022

Ish-Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, zhvilloi takime në Washington DC në tri institucione të rëndësishme të SHBA-ve.

Ai publikoi fotografi nga këto takime në rrjete sociale duke shtuar se angazhimi i tij në Washington, DC tash e dy dekada rradhazi ka qenë dhe gjithherë do të jetë në shërbim të kauzës sonë kombëtare dhe interesit shtetëror.

“SHBA-të janë aleat e mik dhe hisedar të Republikës sonë, andaj kërkesat e tyre ndaj Kosovës nuk kanë synim asnjëherë që të dëmtojnë vendin tonë në asnjë mënyrë! Kosova e ka momentumin e duhur (edhe në aspektin e zhvillimeve gjeopolitike ndërkombëtare) që t’i jap dinamikë të shtuar dhe ta përfundojë procesin e stërzgjatur të dialogut me Serbinë; të përafrohet sa më shumë me NATO-n; dhe të tregojë lidership të përkushtimit kombëtar (dhe reciprok me minoritetet në vendit tonë) karshi vëllezërve e motrave tona në Luginë të Preshevës”, ka shkruar Bislimi.

Në Departamentin e Shtetit, Bislimi takoi  këshilltarët kryesor për Ballkanin Perëndimorë, në Këshillin për Siguri Kombëtare, takoi Drejtoreshën për Evropë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dhe në Departamentin e Mbrojtjes me Kolonelin Anderson, përgjegjës për Ballkanin.

“Kosova është me fat që gëzon mbështetje të madhe nga aleati ynë i pazëvendësueshëm. Kjo marrëdhënie e jona kaq unike e kaq e sinqertë me SHBA-të,  për të cilën meritë të paçmueshme kanë Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e udhëhequr nga Kongresisti Joe DioGuardi e znj. Shirley Cloyes DioGuardi, duhet ruajtur si sytë e ballit”, ka shkruar Bislimi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale