Mbi 80 kompani nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia e shumë vende të tjera, janë mbledhur në Tiranë në panairin ndërkombëtar “Energjia dhe Ndërtimi”, organizuar nga “Tirana Expo Center” në bashkëpunim me Ministrinë e Energjetikës së Shqipërisë. Krahas prodhimeve shqiptare në panair prezantohen edhe kompani të njohura në fushën e energjisë së rinovueshme dhe ndërtimit nga Austria, Italia, Kanadaja, Greqia dhe Kroacia.
I pranishëm në ditën e dytë të këtij panairi ishte ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, i cili tha se është i impresionuar nga kjo pjesëmarrje e gjerë e kompanive, gjë që flet për një interes në rritje ndaj tregut shqiptar.
“Jam i impresionuar nga pjesëmarrja e kompanive, si të huaja ashtu edhe shqiptare, janë mbi 80 kompani, gjysma e të cilave janë kompani të huaja gjë që tregon se ka një interes në rritje për tregun shqiptar. Pata interes të shoh gjithashtu shumë produkte që lidhen me eficencën e energjisë në sistemet e infrastrukturës dhe transportit, të cilat sigurisht do të vlerësohen dhe besoj edhe do të kërkohen në projektet tona për ta zhvilluar më tej dhe për ta modernizuar infrastrukturën e transportit të vendit,” tha ministri Haxhinasto.
Ylli Salihu përfaqësues i fabrikës ‘Ylliterm” në Kosovë e specializuar për prodhimin e kaldajave për ngrohje qendrore, ka futur në treg sistemet më të avancuara të ngrohjes së shtëpive dhe bizneseve, madje të pranueshme edhe për nga çmimi.
Salihu tha se pjesëmarrja në panair është shumë e rëndësishme për kompanitë, ngase ato krijojnë lidhje të reja për të tregtuar produktet e tyre dhe i bëjnë të njohura metodat e reja edhe për klientët.
“Është një plus i madh të marrësh pjesë në panaire, formojmë lidhje të reja me njerëz që janë të interesuar ti kenë produktet tona që ti shesin si me shumicë ashtu dhe me pakicë. Kemi klientë nga Shqipëria, nga Greqia, po kryesisht klientelen e kemi në Kosovë. Sistemet e reja janë këto me ‘pelet’, solaret dhe këto elektriket, që përdoren kryesisht në apartamente edhe në shtëpi të vogla banimi. Kurse më e reja dhe që ka bërë bum tashmë është sistemi me pelet. Materiali pelet janë disa kokrra të vogla, mbetje druri e presuar, e cila mbush kaldajën dhe pastaj mekanizmi e çon vetë, kërkon çfarë temperature dëshiron me e pas në dhomë apo në shtëpi edhe automatikisht tërheq peletin dhe i jep kaldasë për me u ndez. Një shtëpie me hapësirë prej 200 deri në250 metra katror me një dimër relativisht të fortë në Kosovë do të harxhonte diku te 4 apo 5 ton pelet për një sezon, që llogaritet diku te 800 deri në 1 mijë euro,” tha Ylli Salihu, përfaqësues i fabrikës së kaldajave ‘Ylliterm’.
Panairi i dytë ndërkombëtar “Energjia & Ndërtimi” do të qëndrojë i hapur për vizitorët në datat 23-25 tetor 2015, në ambientet e “Tirana Expo Center”.
Voton Sveçla, u bën thirrje qytetarëve të dalin në zgjedhje
Dy të vdekur në Suedi, stuhia dimërore vdekjeprurëse godet v...
KEK në gatishmëri maksimale: Të gjitha kapacitetet në shërbi...
Presidentja Osmani me shpresë që rezultati i zgjedhjeve rezu...
U.D. i Ministrit të Drejtësisë, voton dhe fton qytetarët të ...
KQZ konfirmon për gjashtë komuna që kanë mungesë të energjis...