Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, tha se shkalla e papunësisë së grave në Kosovë është më e larta në rajon, ku 82 përqind e grave të afta për punë nuk janë të punësuara.
Ai këto komente i bëri me rastin e hapjes së panairit tregtar dy ditor në Prishtinë për gratë pronare të bizneseve nga jugu dhe veriu i lumit Ibër.
Braathu me këtë rast kërkoi që gratë të jenë pjesë e ekonomisë duke shtuar se fuqizimi i grave ndërmarrëse është fuqizim i ekonomisë së vendit.
“Shkalla e papunësisë ka qenë çështje problematike kaherë, mirëpo është një lajm i mirë që shkalla e papunësisë është në rënie. Megjithatë, shkalla e papunësisë së grave në Kosovë është ndër më të larta në rajon. Për gratë, shkalla e papunësisë në Kosovë është shokuese. Rreth 82 përqind e grave në moshë të punës janë të papunësuara dhe kjo gjë është tejet problematike dhe e vështirë. Nëse duam të fuqizojmë ekonominë, atëherë nuk ka kurrfarë kuptimi të pengojmë qasjen e grave në ekonomi, dhe kjo nuk ka të bëjë me ndonjë korrektësi politike. Thjesht, është e logjikshme dhe e duhur që gratë të realizojnë potencialin e tyre të plotë”, tha shefi i misionit të OSBE-së.
Më tej, ai shtoi se dialogu, pajtimi dhe komunikimi është gurthemeli i një shoqërie të shëndoshë në Kosovë.
Ambasadori austriak në Kosovë, Gernot Pfandler, tha se kanë prioritet nxitjen e ekonomisë me theks të nënvizuar siç tha ai, mbështetjen e grave në të gjithë sektorët e ekonomisë.grate
Ambasadori Pflander vlerësoi lart mbështetjen e OSBE për Kosovën e në këtë rast mbështetjen për gratë ndërmarrëse, ndërsa u shpreh se edhe vet Austria ka realizuar aktivitete të shumta për të përkrahur ato.
Madje, ai theksoi se zhvillimi ekonomik i një vendi varet shumë edhe nga gratë, përderisa u shpreh se nuk ka punë që gratë nuk mund ta bëjnë po aq mirë sa cilido.
“Edhe vet Austria si mbështetëse e Kosovës ka shumë aktivitete në mbështetjen e grave ndërmarrëse në gjithë Kosovë dhe kjo është një dëshmi tjetër e qëndrimit tonë që gratë ndërmarrëse duhet të jenë gjysma e zhvillimit ekonomik në Kosovë. Unë dua ta konfirmoj, dua të nënvizoj se nuk ekziston një profesion në botë që gratë nuk mund ta ushtrojnë po aq mirë sa secili burrë e ndoshta edhe më mire se cilido”, tha Pflander ndërsa shtoi se Austria për herë të tretë me radhë do të jetë nikoqire në akademinë e dialogut që do të mbahet në vjeshtë.
Ndërkaq, ishin rreth 30 gra ndërmarrëse nga komuniteti shqiptar dhe ai serb i Kosovës që paraqitën produktet e tyre në këtë panair.
Bletarja Valbona Ismaili – Salihu nga Skenderaj, kishte ardhur në panair për të promovuar dhe shitur mjaltin që e japin bletët e tyre, për shtatë vjet me radhë.
Ajo u shpreh se pjesëmarrja në panaire është e mirë për të promovuar produktet e veta, por siç tha ajo, kur kërkesa për prodhimet e ofruara është e madhe, fokusi zhvendoset më shumë në punë se sa në promovim.
“Jemi të kënaqur me panairin pavarësisht se prodhimet e bletës shiten edhe prej shtëpisë. Unë për vete prandaj jam më e fokusuar në punë, se sa të dal në panair, sepse kam kërkesë për produktin e bletës” tha ajo duke shtuar se do të dëshironte të merrte pjesë edhe në panaire ndërkombëtare për të shkëmbyer përvoja.
Ndërsa kishte edhe nga ato gra ndërmarrëse që promovimin e punës së tyre nuk mund ta bëjnë pa panairet, e posaçërisht në rastet kur ato nuk kanë hapësirë tjetër ku mund të shesin produktet e tyre.
Është Fahrije Kelmendi nga fshati Lipë, një nga ndërmarrëset që punon në kushte të shtëpisë së saj ndërsa produktet i shet vetëm me porosi.
Sipas saj, pjesëmarrja në panairet jashtë qytetit të Mitrovicës nuk është dhe aq e lehtë pasi që siç tha ajo, në këtë rast mbetet problematike çështja e transportit. Ndërkaq, tha se e mira e këtij panairi është se organizatorët u kanë mbuluar shpenzimet e rrugës.
Fahrija në panairin e sotëm kishte sjellë produkte vendore nga më të ndryshmet e të përgatitura nga vet ajo.
“Këtu kam sjellë pite, xhem, çaj bliri, kajsi dhe komplote e ajvar… Ky panair është shumë i mirë. Pak vështirë e kemi të marrim pjesë, pasi që duhet udhëtimi e shumë probleme t’i zgjidhim para se me ardhë këtu. Por ky panair është shumë i mirë sepse na kanë mbuluar edhe shpenzimet e rrugës, pra ne kemi pasur t’i vendosim produktet tona”, u shpreh ajo përderisa shtoi se edhe ambasadori Brathuu bleu një reçel nga tenda e saj.
Pjesë e këtij panairi janë edhe organizata ndërkombëtare dhe kompani të punësimit nga sektori privat.
Ky panair do të qëndrojë i hapur për dy ditë në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Ura për këmbësorë mbi lumin Ibër nga nesër lëshohet për qark...
“Po du me të këqyr”, Klodi skuq Benitën
Përplaset për vdekje këmbësori në Krujë, shoqërohet në komis...
Ushtria amerikane: Tetë të vrarë nga sulmet e fundit ndaj an...
“E mallkoj ditën kur jemi takuar”, Londrimi ngacmon Edin dhe...
Bislimi publikon letrën nga BE: Komisioni ka vendosur për he...