Pakoja e dytë Emergjente| Mungesa e unitetit politik vonon zbatimin

08:01 | 11 Gusht 2020
A. B.

Nga e hëna ka filluar ekzekutimi i mjeteve të parapara me Pakon Emergjente, për muajin prill të këtij viti.

E, pas implementimit të plotë të kësaj pako, nuk pritet të ketë edhe një të dytë të ngjashme.

Qeveria e Kosovës do të fokusohet në pakon për rimëkëmbje ekonomike.

Kështu ka thënë për arbresh.info, zëvendësministri në Ministrinë e Financave, Agim Krasniqi.

“Pako e parë emergjente do të përfundoj tash. Për pakon e dytë do të fillojmë me sektorin e shëndetësisë. E kështu menjëherë fillojmë me rimëkëmbjen ekonomike”, ka thënë Krasniqi.

E, eksperti i çështjeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu, thotë se Kosova është vonuar për rimëkëmbjen ekonomike në krahasim me vendet e rajonit.  Sipas tij në këtë drejtim është folur shumë dhe është bërë shumë pak.

“Kosova është vonuar në mbështetje të qytetarëve, në veçanti në mbështetje të sektorit privat dhe të bizneseve në përgjithësi, e tëra kjo duhet të na mësoj që duhet të bëhet më tepër sesa të flitet në këtë drejtim. Derisa vendet e rajonit kanë bërë më shumë progres në këtë drejtim, ne jemi ende në pikën fillestare”, vlerëson Gërxhaliu

E fajin për vonimin e pakos emergjente dhe rimëkëmbjes ekonomike Gërxhaliu e vë tek mungesa e unitetit politik, gjë që sipas tij e ka rënduar edhe më shumë situatën në këtë kohë pandemie.

“Sot në Kosovë problemi i vetëm nuk është vetëm pakoja emergjente as mungesa e pakos së rimëkëmbjes, por është mungesa e unitetit politik gjë që e vështirëson situatën në dimensione të ndryshme andaj besoj që është koha ku duhet vërtetë që të mundohemi t’i minimizojmë efektet negative të pandemisë koronavirus”, shprehet Gërxhaliu.

Ndryshe, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka njoftuar se gjatë kësaj jave do të ekzekutohen të gjitha mjetet bazuar në Pakon Emergjente.

“Në Ministrinë e Financave po punohet pa orar. Thesari dhe Departamenti i Buxhetit po bëjnë të gjitha përgatitjet që nga e hëna të fillojnë ekzekutimin e pagesave nga Pakoja Emergjente për qytetarët dhe bizneset. Javën që po vjen do t’i ekzekutojmë të gjitha mjetet për muajt e papaguar bazuar në Pakon Emergjente”, thuhet në njoftimin e saj./E.Haxhiu/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale