Nënshkruhet marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës

11:08 | 16 Prill 2026
E.G

Në margjinat e Takimeve Pranverore në Washington DC, Ministri i Financave Hekuran Murati dhe Zëvendëskryeministri e Ministri i Financave i Mbretërisë së Belgjikës, Jan Jambon, kanë nënshkruar marrëveshjen për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë në lidhje me Tatimet mbi të Ardhurat dhe Kapitalin, si dhe për Parandalimin e Evazionit dhe Shmangies Tatimore.

Sipas njoftimit, Murati theksoi se marrëveshja krijon kushte më të favorshme për investime dhe lehtëson veprimtarinë e bizneseve në të dy vendet.

Ndërkaq, Ministri Jambon vlerësoi bashkëpunimin me Kosovën dhe rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës në proceset integruese të Kosovës.

“Kjo marrëveshje forcon tutje partneritetin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës dhe dëshmon angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit bilateral.”, thuhet njoftim.

Gjatë kësaj jave, Ministri Murati po qëndron në Washington DC, ku po merr pjesë në Takimet Pranverore të organizuara nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar./Arbresh.info