Ende nuk dihet nëse Telekomi Serbia do ta blejë IPKO-n

12:26 | 6 Tetor 2020
M. A.

Bordi i Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare(ARKEP) ka raportuar në Komision Parlamentar për Ekonomi, për procesin e shitjes së IPKO.

Gjatë raportimit, u bë e ditur se ende nuk dihet se kush do ta blej IPKO-n në Kosovë.

Anëtari i Bordit të ARKEP-it, Shqipërim Pula ka thënë se pas një takimi me përfaqësuesit e Telekomit Slloven si përfaqësues të shitjes së operatorit mobil “IPKO”, është thënë se ka disa blerës të mundshëm në proces.

“Emrat potencialë të blerësve nuk na i kanë treguar. Ne si autoritet, ua e kemi bërë të qartë se në përfundim të fazës së dytë janë të obliguar të tregojnë emrat e kompanive potencial dhe pas kësaj ne do të njoftojmë institucionet përkatëse. Sepse, kemi të bëjmë me sigurinë kombëtare”, tha Pula.

Pula nuk ka përjashtuar mundësinë që deri në nëntor ose dhjetor mund të përfundojë procesi i tretë dhe përfundimtar i privatizimit.

Anëtarja e Komisionit, deputetja Minoza Kusari-Lila ka thënë se ARKEP aktualisht është jo legjitim pasi nuk ka kuorum të Bordi i saj(vetëm katër anëtarë) dhe në këtë mënyrë nuk ka të drejtë ta udhëheq këtë proces.

“Çfarë autoriteti ka sot ARKEP të bisedoj me një përfaqësues të shitjes? Duhet të plotësohet ky bord për të qenë funksional pasi Shqipërim Pula flet në emër të ARKEP pa pasur legjitimitet”, tha ajo.

I shqetësuar me këtë proces është edhe deputeti Pal Lekaj, i cili ka kërkuar garanci nga ARKEP se asetet e IPKO nuk shkojnë aty ku nuk duhet, në këtë rast tek Telekom Serbia, pasi siç tha ai rrezikohet siguria kombëtare.

/arbresh.info/