Aktakuzë ndaj dy personave për shantazh të një gruaje duke ia kërkuar 5 mijë euro

15:07 | 21 Gusht 2025
E.K

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton se ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurve A.T., dhe V.H., të cilët ngarkohen për shantazh.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit ngarkohen se shantazhuan B.H., duke ia kërkuar 5 mijë euro për të mos zbuluar fakte që do t’ia dëmtonin nderin dhe autoritetin e saj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sipas aktakuzës, ndër tjera ceket se të pandehurit me inicialet A.T., dhe V.H., ditë me parë e deri me datën 18.07.2025, të koordinuar paraprakisht në mes vete, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanosin personin tjetër – këtu të dëmtuarën B.H., se do të zbulojë diçka në lidhje me të, që do të dëmtojë rëndë nderin dhe autoritetin e saj, në atë mënyrë që ditën kritike pasi e pandehura V.H., një javë me parë e kishte telefonuar të dëmtuarën duke iu drejtuar me fjalët “unë kam fakte qe ti ke kaluar me 2 – 3 persona dhe nëse nuk mi dërgon 5000 euro këto prova do të ia dërgoj burrit tënd”, e me pas ditën kritike e kishte telefonuar përsëri duke i thënë “ a vendose për pare” por që e dëmtuara me qellim qe të kuptoj se çfarë po ndodh i përgjigjet “po ku done me ti pru paret a qysh” pastaj e pandehura e udhëzon se “vjen i bjen në qendrën tregtare V. ne katin e tret lej dikund në tesha me trego ku janë dhe shkoj i marr” por që gjatë kësaj kohe e pandehura mban komunikim vazhdimisht me të pandehurit A.T., duke e informuar për veprimet e saj ku i thotë se “jam duke shkuar në qendrën tregtare V. sepse ajo është duke mi pru paret’’ dhe i pandehuri A.T., i përgjigjet “në rregull edhe unë po nisna”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se pasi i kishte marrë paratë e pandehura kishte parë një zyrtar policor dhe në tentim për t’u larguar ishte arrestuar. Më pas, ishte kapur edhe i pandehuri tjetër.

“…pasi e dëmtuara i vendos parat ashtu siç kërkon e pandehura në një palë pantolla fermerka të zi, e pandehura kishte shkuar aty bashkë me vajzën e saj (fëmijë 9 vjeçe), duke kontrolluar dhe pasi gjen aty zarfin e merr, e fut në xhep dhe fillon të largohet, por që pasi zbret në katin e dytë vëren një zyrtar policor dhe tenton të largohet duke e hedhur zarfin në tokë dhe aty ndalohet nga zyrtarët policor ku pas pak çastesh arrestohet edhe i pandehuri A.T., i cili kishte ardhur për tu takuar ashtu siç ishin dakorduar me parë”, njofton Prokuroria.

Me këto veprime, të pandehurit ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shantazhi” nga neni 329, par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë.