Firma shqiptare që prodhon maska për Mercedes Benz

23:56 | 20 Prill 2020

Krizat janë mundësi, jo vetëm goditje. E duket se këtë e ka kuptuar mirë Alba Dervishi. Rreth 5 javë më parë, fasoneria e saj prodhonte uniforma pune. Sot, prodhon maska dhe furnizon kompani prestigjioze botërore si Mercedes Benz e kompani të tjera ndërkombëtare.

Në një kohë kur kriza e koronavirusit ka goditur thuajse të gjitha bizneste prodhuese e veçanërisht atë të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, përshtatja me kërkesa e kohës po rezulton formula e suksesit.

“Ideja ishte në bazë të kërkesës së disa klientëve tanë aktualë, të cilët më kontaktuan dhe më kërkuan nëse mund të prodhojmë maska mbrojtëse. Erdhi materiali nga Gjermania dhe filluan të shpërndajmë në disa fasonë”, shpjegon Dervishi. “Sot furnizojmë 12-15 fasonë për prodhimin e maskave për në Gjermani”.

Por, a ishte i lehtë kalimi nga veshjet e punës te maskat pasi kërkohet edhe kualifikimi i stafit? “Ne jemi mësuar të bëjmë modele shumë të ndërlikuara. Ky është një produkt ku punonjësit tanë janë përshtatur shumë shpejt”.

Ndërkohë, biznesi fason ka qenë më i përfoluri kohët e fundit, ku nuk kanë munguar kritikat për kushtet e punës në këtë kohë të koronavirusit. “Para se të hipim në autobusët e punës na matin temperaturën”, tregon Valbona Bregu, drejtore e prodhimit. “Na jepen dorezat njëpërdorimshme, maskat i prodhojmë vetë dhe distancat mes punëtorëve ka raste kalon edhe dy metra”.

Në këto momente, pikërisht nga ky biznes fason eksportohen 50 mijë maska në javë drejt Gjermanisë ndërsa klienti kryesor kërkon 100 mijë të tilla në ditë, duke detyruar këtë firmë të zgjerojë nënkontraktorët për të plotësuar kërkesën. /A2/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara