Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të takohet me aleatët e tij kyç evropianë në Londër më 8 dhjetor, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e akuzoi atë se nuk e kishte lexuar propozimin më të fundit për paqe.
“Ne po nisim një javë të re diplomatike tani, do të ketë konsultime me udhëheqësit evropianë. Para së gjithash, çështjet e sigurisë, mbështetja për qëndrueshmërinë tonë dhe paketat mbështetëse për mbrojtjen tonë”, tha Zelensky gjatë adresimit të mbrëmjes më 7 dhjetor.
Në Londër, Zelensky pritet të takohet me kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Friedrich Merz, që janë përkrahësit më të mëdhenj të Kievit në Evropë.
Ndërkohë, duke folur para gazetarëve, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kritikoi homologun e tij ukrainas, duke thënë se ishte “pak i zhgënjyer”.
“Ne kemi biseduar me presidentin [rus] Vladimir Putin, dhe kemi biseduar me udhëheqësit ukrainas, përfshirë Zelenskyn, presidentin Zelensky, dhe duhet të them se jam pak i zhgënjyer që presidenti Zelensky ende nuk e ka lexuar propozimin, të paktën para disa orësh”, u tha Trump gazetarëve më 7 dhjetor.
Bisedimet në Londër vijnë pas tri ditë negociatash midis zyrtarëve ukrainas dhe atyre amerikanë në Majami. Këto diskutime përfunduan me një ton pozitiv, por pa ndonjë përparim konkret.
Administrata e presidentit Trump po i bën presion Kievit të pranojë një propozim paqeje që shumë kritikë thonë se anon dukshëm në favor të Rusisë.
Pas negociatave në Majami, Zelensky tha se kishte biseduar me Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
“Të dërguarit amerikanë janë të informuar për pozicionet kryesore të Ukrainës dhe biseda ishte konstruktive, megjithëse jo e lehtë”, tha Zelensky.
“Pres informacione të detajuara prej tyre për gjithçka që u është thënë emisarëve amerikanë në Moskë, si dhe për nuancat që amerikanët janë të gatshëm t’i modifikojnë në negociatat me ne dhe me rusët”, shtoi Zelensky, duke iu referuar kryenegociatorëve ukrainas, Rustem Umerov dhe Andriy Hnatov, të cilët përfaqësuan Ukrainën në negociatat në Majami.
Ndërkaq, Rusia ka vazhduar sulmet ajrore ndaj infrastrukturës kyç të Ukrainës teksa temperaturat e dimrit vazhdojnë të bien.
Forcat ruse sulmuan qytetin Ohtirka në rajonin e Sumit natën e 8 dhjetorit, sipas autoriteteve lokale.
Guvernatori Oleh Hryhorov tha se shtatë persona u plagosën nga një sulm ndaj një ndërtese banimi nëntëkatëshe, të cilët u dërguan në spital.
Sipas Shërbimit të Emergjencave të Ukrainës, zjarrfikësit shuan një zjarr që kishte përfshirë katin e dytë deri në të pestin dhe evakuuan 35 banorë, duke shpëtuar shtatë persona, përfshirë një fëmijë, nga banesat e dëmtuara.
Në Çernihiv, një ndërtesë banimi u dëmtua si pasojë e rrëzimit të një droni rus. Tre persona u plagosën, një prej të cilëve u hospitalizua, shkroi Shërbimi i Emergjencave në Telegram më 8 dhjetor.
Përpara vizitave të planifikuara të Zelenskyt në Londër, Bruksel dhe Romë për të diskutuar për procesin e paqes, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, zhvilloi me të një bisedë telefonike.
Ajo rikonfirmoi solidaritetin e Italisë me Kievin dhe u zotua se do t’i dërgojë ndihmë për të mbështetur infrastrukturën energjetike të Ukrainës dhe popullsinë e saj.
Zyra e Melonit shtoi se Italia do të dërgojë furnizime shtesë, përfshirë gjeneratorë, për të mbështetur infrastrukturën energjetike dhe popullsinë ukrainase, duke theksuar se qëllimi mbetet një paqe e qëndrueshme dhe e drejtë./rel
Liverpooli zgjedh zëvendësuesin e Salah, ka gati ofertën pre...
Spalletti flet për minutat e pakta të Edon Zhegrovës
Limaj: Kryeministri i ardhshëm duhet të jetë nga opozita
Ish-kryetari i Leposaviqit pjesë e listës së kandidatëve të ...
Pak risi në listat zgjedhore, partitë prezantojnë kandidatët...
Zelensky zhvillon bisedime me aleatët evropianë në Londër pa...