Zelensky në samitin e Komunitetit Politik Evropian: Të ngrihet sistem i përbashkët i mbrotjes ajrore

11:21 | 2 Tetor 2025
E.K

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili mbërriti në Danimarkë ku merr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian, ka bërë të ditur diskutimet me kryeministren daneze Mette Frederiksen, rreth ndërhyrjes së dronëve rusë në hapësirën ajrore të vendeve të Bashkimit Evropian dhe luftën në Ukrainë.

“Inkursionet e fundit në hapësirën ajrore të Danimarkës, Polonisë, Rumanisë, Norvegjisë dhe Estonisë ishin një çështje kyçe. Rusia po e përshkallëzon situatën dhe diskutuam se si mund t’u përgjigjemi këtyre kërcënimeve. Ne kemi propozuar vazhdimisht krijimin e një sistemi të përbashkët dhe të integruar të mbrojtjes ajrore. Ekspertiza e specialistëve ukrainas dhe teknologjive ukrainase duhet të bëhet një pjesë e rëndësishme e iniciativës “Muri i Dronëve” të BE-së”, tha Zelenskyy në X pas takimit.

Ndërkaq, liderët e BE-së janë mbledhur në Kopenhagen për të forcuar mbrojtjen evropiane, pas një serie ndërhyrjesh ruse në hapësirën ajrore të NATO-s dhe disa ditë pasi dronë të paidentifikuar u vunë re mbi aeroportet daneze dhe bazat ushtarake.

Në qendër të samitit është propozimi për një mur dronësh për të mbrojtur kontinentin. Dhjetë shtete anëtare kanë mbështetur tashmë planet për një “mur dronësh” që përfshin një rrjet sensorësh dhe armësh për të zbuluar, ndjekur dhe neutralizuar avionët pa pilot që hyjnë brenda vendeve të Aleancës Ushtarake.

Samiti është gjithashtu mundësia e parë për udhëheqësit e 27 vendeve të BE-së për të debatuar një propozim për të përdorur asetet ruse të ngrira në Evropë për të financuar një kredi prej 140 miliardë eurosh për Ukrainën.

Danimarka shtoi masat e sigurisë përpara samitit, duke ndaluar të gjitha fluturimet e dronëve civilë deri të premten dhe duke vendosur kufizime të rrepta në qarkullim në Kopenhagen.

SHBA, Franca, Gjermania, Suedia, Norvegjia, Holanda, Britania, Finlanda dhe Ukraina kanë angazhuar trupa dhe sisteme anti-dronë për të ndihmuar Danimarkën të mbrojë liderët e BE-së, shumë prej të cilëve e kanë akuzuar Rusinë për shkelje të hapësirës ajrore evropiane, pavarësisht se Moska ka mohuar se është përgjegjëse për dronët.

Shpërndaje në rrjete sociale