Polonia do të furnizojë Kievin me 60 tanke shtesë për mbrojtje kundër agresionit rus.
Ky veprim i Varshavës u mirëprit nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Faleminderit Polonisë për vendimin e rëndësishëm për të dërguar 60 tanke në Ukrainë – 30 prej të cilave janë të famshmet PT-91 Twardy, së bashku me 14 Leopardë”, shkroi Zelensky në Twitter, më 27 janar.
Siç u bë e njohur në fillim të kësaj jave, Ukrainës i janë premtuar gjithashtu tanke luftarake nga Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki njoftoi për dorëzimin e tankeve më 26 janar, në një intervistë për CTV News kanadeze.
“Aktualisht jemi gati të dërgojmë 60 tanke tona të modernizuara, 30 prej të cilëve janë PT-91. Ndërkaq, në krye të kësaj edhe 14 tanke Leopard 2”, tha ai.
Ai shtoi se Polonia, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, “ka dërguar 250 tanke… ose edhe më shumë”.
Tanket që Polonia tashmë ka dërguar, janë kryesisht të modelit sovjetik T-72, në krahasim me të cilin , modeli PT-91 është një version i modernizuar.
Pas disa javësh debate diplomatike, SHBA-ja dhe Gjermania njoftuan, më 25 janar, për dërgimin e tankeve të tyre të rënda Abrams dhe Leopard në Ukrainë. Ky hap shihet si një përparim në përpjekjet për të mbështetur Ukrainën e shkatërruar nga lufta.
Gjithashtu, Gjermania lejoi vendet e tjera të dërgonin në Ukrainë tanke Leopard të prodhimit gjerman.
Komandantët ushtarakë ukrainas thanë se armët do të ndihmonin kundërofensivat dhe do të reduktonin numrin e ushtarëve ukrainas të vrarë në luftë.
Lufta në Ukrainë filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën një “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës.
Perëndimi iu përgjigj Rusisë me sanksione të ashpra.
Si rezultat i luftës në Ukrainë, mijëra njerëz kanë vdekur, ndërkaq miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel
Operacion policor në Fier, sekuestrohen dy armë zjarri
Liverpooli ia “mbyll derën” Juventusit për Chies...
Merret vendim në tërë Kosovën, shtyhet procesi mësimor deri ...
KRU “Mitrovica” apelon te konsumatorët që uji të mos përdore...
Parashikimi i motit për nesër, me riga shiu
Lëndohet përsëri Ter Stegen