Ushtria izraelite tha të shtunën se e ka kompletuar rrethimin e qytetit Rafah në Rripin e Gazës, në përpjekje për të marrë nën kontroll sa më shumë pjesë të enklavës palestineze.
Izraeli i ka urdhëruar vazhdimisht qindra mijëra palestinezë në Rafah që të largohen, prej se i rifilloi operacionet në Gazë më 18 mars, duke i detyruar ata të shpërngulen në një zonë gjithnjë e më të ngushtë, të kufizuar nga deti.
Më 2 prill, Izraeli njoftoi se ushtria e tij kishte filluar ta merrte nën kontroll një zonë që e quajti Aksi i Moragut, duke iu referuar një vendbanimi të dikurshëm izraelit, që ndodhej mes qyteteve Rafah dhe Han Junis, në jug të Gazës.
Prej atëherë, qindra mijëra palestinezë janë detyruar të ikin nga Rafahu, një zonë prej 60 kilometrash katrorë që kufizohet me Egjiptin në jug.
“Gjatë 24 orëve të fundit, trupat e Divizionit të 36-të përfunduan krijimin e rrugës së Moragut, duke ndarë Rafahun dhe Han Junisin”, tha ushtria të shtunën.
Izraeli e nisi luftën në Gazë pas sulmit të grupit militant palestinez Hamas në jug të Izraeli më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 251 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Prej atëherë, më shumë se 50.000 palestinezë janë vrarë nga lufta izraelite, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavën e kontrolluar nga Hamasi. Shumica e popullsisë është zhvendosur dhe pjesa më e madhe e Gazës është rrënuar.
Izraeli e rifilloi ofensivën Gazë në mars, pasi e braktisi armëpushimin që ishte në fuqi që nga janari. Sipas Izraelit, fushata do të vazhdojë derisa të lirohen 59 pengjet e mbetura dhe Hamasi të zhduket nga Gaza.
Hamasi ka thënë se do t’i lirojë pengjet vetëm në përputhje me një marrëveshje që do t’i japë fund luftës dhe nuk i ka pranuar kërkesat për t’i dorëzuar armët./rel
Haxhiu njofton për vdekjen e babait të saj: Mbështetësi im m...
Moti në Shqipëri
Pamje kur astronautët e misionit Artemis 2 zbarkojnë në Tokë
Para takimit në Pakistan, Trump rrit tonet ndaj Iranit
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rry...
Mot të ndryshueshëm me periudha shiu