Dy ushtarë turq kanë mbetur të vdekur dhe 4 të tjerë janë plagosur pas shpërthimit të një autobombe dhe sasie të konsiderueshme eksplozivi në një zonë pranë qytetit Juglindor të Diyarbakirit përgjatë natës, bëri të ditur ushtria turke përmes një deklaratë gjatë kësaj të diele.
Ushtria, e cila fajësoi militantët kurdë dhe i ngarkoi me përgjegjësi për sulmin, deklaroi më tej se operacionet në zonë do të vijojnë. Bastisjet e vendndodhjeve të militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) e më pas sulmet ndaj objektivave të tyre në Irak nisën së bashku me sulmet ajrore ndaj xhihadistëve të Shtetit Islamik në territorin sirian, pak ditë më parë.
Sulmet vunë në diskutim paqen dyvjeçare mes Ankarasë dhe grupit të militantëve kurdë. Ndërsa sa i përket sulmeve ndaj objektivave të ISIS, Turqia është shprehur se kjo fushatë do të ndihmojë në krijimin e një “zone sigurie” përgjatë një pjese të konsiderueshme të Sirisë veriore.
“Kemi vepruar gjithnjë me synimin për të sjellë qëndrueshmëri në të dyja vendet, sepse i konsiderojmë ata si pjesë të së njëjtës fotografi. Do të duhet të krijohet një zonë sigurie dhe disa zona ndalimfluturimi në Siri. E kemi nënvizuar disa herë se, zgjidhja e problemit të Sirisë është thjesht dhe vetëm politike. Një zgjidhje pa Presidentin Assad”, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, transmeton Tch.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër sulmet e fundit të militantëve kurdë të PKK-së në Turqi. Sipas një deklarate të një diplomati amerikan në Tëitter, “nuk ka asnjë lidhje mes sulmeve të Turqisë kundër PKK-së dhe një marrëveshjeje për të intensifikuar luftën kundër Shtetit Islamik”. Reagimi ka qenë i Brett McGurk, zëvendës i të dërguarit special presidencial për koalicionin që lufton militantët e ISIS.
Edhe Shtëpia e Bardhë ka reaguar këtë të dielë, duke u shprehur se mirëpret fokusin në rritje dhe përpjekjet e Turqisë për të luftuar Shtetin Islamik, madje bëri të ditur edhe vendimin për ta konsideruar PKK-në e militantëve kurdë në Turqi si një “organizatë terroriste”.
Komentet janë bërë gjatë një deklarate të shkurtër për shtyp nga Nairobi, ku zyrtari i Shtëpisë së Bardhë shoqëron Presidentin amerikan, Barack Obama, gjatë vizitës së tij në Kenia.
KQZ: Mbi 1,600 votues kanë votuar deri në ora 09:00 në 24 pë...
Hysen Durmishi inkurajon qytetarët e diasporës të marrin pje...
Gjendet i vdekur një burrë në Mitrovicë
Nën kërcënimin e armës, grabitet recepsionisti në Prishtinë
Trump: Fjalën e fundit për paqe në Ukrainë e them unë
Arrestohet në Shtime i dyshuari që kanosi zyrtarët komunalë ...