Trump: Nuk ka marrëveshje me Iranin pa `dorëzim pa kushte`

16:00 | 6 Mars 2026
Q L

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se nuk do të ketë negociata me Iranin për t’i dhënë fund luftës, duke theksuar se e vetmja zgjidhje është “dorëzimi pa kushte” i Teheranit.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi se pas një kapitullimi të tillë dhe zgjedhjes së një udhëheqjeje që ai e cilëson si “të mirë dhe të pranueshme”, SHBA-ja dhe aleatët e saj do të punojnë për rindërtimin e Iranit dhe për ringritjen ekonomike të vendit.

“Nuk do të ketë marrëveshje me Iranin, përveç dorëzimit pa kushte”, shkroi Trump, duke shtuar se në atë rast, Irani mund të bëhet “ekonomikisht më i madh, më i mirë dhe më i fortë se kurrë më parë”.

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në ditën e shtatë të konfliktit të armatosur në Lindjen e Mesme, ku përfshihen sulme ajrore dhe raketore mes palëve. Sipas raportimeve, konflikti ka shkaktuar qindra viktima dhe ka rritur tensionet në rajon.

Një ditë më parë, Trump kishte deklaruar se mbrojtja ajrore dhe kapacitetet raketore të Iranit janë dëmtuar rëndë nga sulmet, duke pretenduar se një pjesë e madhe e sistemeve të mbrojtjes dhe platformave të lëshimit të raketave janë shkatërruar.

Shpërndaje në rrjete sociale