Trump lidh përdorimin e Tylenolit gjatë shtatzënisë me autizmin

08:59 | 23 Shtator 2025
Q L

Presidenti Donald Trump deklaroi se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave do të njoftojë mjekët se përdorimi i Tylenol gjatë shtatzënisë mund të shoqërohet me një rrezik shumë të rritur të autizmit.

“Ata po rekomandojnë fuqimisht që gratë të kufizojnë përdorimin e Tylenol gjatë shtatzënisë, përveç nëse është e nevojshme nga ana mjekësore”, si për shembull për të trajtuar ethet, “nëse nuk mund ta përballojnë dot”, tha Trump.

Ekspertët thonë se ka shkaqe të shumta të autizmit ndërsa shkenca që tregon një lidhje midis autizmit dhe Tylenol nuk është e qartë.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë së bashku me Sekretarin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të SHBA-së, Robert F. Kennedy Jr., Komisionerin e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave, Dr. Marty Makary, Drejtorin e Instituteve Kombëtare të Shëndetit të SHBA-së, Dr. Jay Bhattacharya, dhe Administratorin e Qendrave Amerikane për Shërbimet Medicare dhe Medicaid, Dr. Mehmet Oz, Trump kritikoi marrjen e Tylenol gjatë shtatzënisë, ndërsa mbështeti ndërprerjen e vaksinimit të fëmijërisë dhe madje shtyrjen e vaksinimit të hepatitit B për të porsalindurit.

Është “shumë lëng, shumë gjëra të ndryshme po hyjnë në atë foshnjë”, tha Trump, pa dhënë prova të mëtejshme.

Kennedy tha se HHS do të nisë një fushatë kombëtare shërbimi publik për të informuar familjet dhe për të mbrojtur shëndetin publik në lidhje me marrjen e Tylenol gjatë shtatzënisë.

“Agjencia po i inkurajon mjekët të ushtrojnë gjykimin e tyre më të mirë dhe të përdorin acetaminofen për ethet dhe dhimbjet në shtatzëni duke përdorur dozën më të ulët efektive me “kohëzgjatjen më të shkurtër të nevojshme dhe vetëm kur kërkohet trajtim”, tha ai.

Nga ana e saj, FDA bëri me dije se po nis procesin për ndryshimin e etiketave të sigurisë në produktet e acetaminofenit dhe po u dërgon letër mjekëve ku thuhet se zgjedhja për të marrë Tylenol u takon prindërve.

Çfarë thotë shkenca

Shkenca mbi lidhjen midis Tylenol dhe autizmit nuk është përcaktuar ende. Një studim suedez i vitit 2024, i botuar në JAMA, që përfshinte më shumë se 2 milionë fëmijë, nuk gjeti asnjë lidhje midis acetaminofenit të marrë gjatë shtatzënisë dhe autizmit, çrregullimit të hiperaktivitetit të mungesës së vëmendjes ose çrregullimeve të tjera neurozhvillimore.

Në gusht, një studim i BMC Environmental Health analizoi 46 studime mbi përdorimin e acetaminofenit gjatë shtatzënisë dhe çrregullimeve neurozhvillimore.

Gjashtë nga studimet që studiuesit shqyrtuan në mënyrë specifike përdorimin e acetaminofenit dhe autizmin. Në përgjithësi, analiza arriti në përfundimin se kishte “prova të forta të një lidhjeje” midis përdorimit të acetaminofenit gjatë shtatzënisë dhe autizmit, por autorët ishin të kujdesshëm të thoshin se dokumenti mund të tregonte vetëm një lidhje, hulumtimi nuk mund të tregonte se acetaminofeni shkaktonte autizëm./atsh

Të ngjashme