Trump dërgon të besuarin e tij në Gaza për monitorimin e situatës

13:45 | 1 Gusht 2025
E.K

I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pritet të vizitojë këtë të premte Rripin e Gazës në një mision të përqendruar në vlerësimin e situatës humanitare, mes rritjes së presionit ndërkombëtar ndaj Izraelit për shkak të akuzave për përdorimin e “krizës së urisë” në territorin palestinez.

Witkoff do të shoqërohet nga ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, në një vizitë që synon të inspektojë shpërndarjen e ndihmave humanitare për popullatën civile.

“Qëllimi i këtij misioni është të informojë presidentin Trump me të dhëna të drejtpërdrejta nga terreni, në mënyrë që të miratohet një plan i qëndrueshëm për dërgimin e ndihmave”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një konferencë për shtyp të enjten.

Vizita zhvillohet një ditë pasi mbi 50 palestinezë humbën jetën nga sulmet ajrore izraelite në disa pjesë të Gazës. Autoritetet lokale të shëndetësisë raportuan gjithashtu vdekjen e dy fëmijëve për shkak të urisë, duke e çuar numrin e viktimave nga kequshqyerja dhe mungesa e ushqimit në 154 gjatë javës së fundit, përfshirë 89 fëmijë.

Ky është udhëtimi i dytë i Witkoff në Gazë që nga marrja e detyrës nga Trump. Ai ishte gjithashtu zyrtari i parë amerikan që vizitoi enklavën pas më shumë se një dekade, gjatë mandatit të parë të presidentit aktual.

Para vizitës në Gazë, Witkoff zhvilloi një takim në Jerusalem me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Takimi vjen një javë pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga negociatat për armëpushim në rajon, duke akuzuar Hamasin për qasje “me keqbesim” në procesin diplomatik.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar ende nëse vizita e Witkoff do të pasohet me ndonjë veprim konkret nga ana e Uashingtonit, por pritet që raporti i tij të luajë rol kyç në përcaktimin e qasjes së administratës Trump ndaj krizës në Gaza./euronews.al