Thatësira ekstreme zbulon qytetin 3400-vjeçar në Irak

19:31 | 7 Qershor 2022

Në fillim të këtij viti, mbetjet e një qyteti 3,400-vjeçar dolën nga një rezervuar në Irak pas muajsh thatësire ekstreme.

Arkeologët gjermanë dhe kurdë zbuluan vendbanimin e lashtë nga Perandoria Mittani kur nivelet e ujit ranë me shpejtësi, transmeton portal arbresh.info

Qyteti i lashtë ishte vendosur në brigjet e lumit Tiger dhe besohet të ketë qenë qyteti i Zakhiku, një qendër e rëndësishme për Perandorinë Mittani e cila zgjati nga rreth 1550 deri në 1350 para Krishtit.

Studiuesit u tronditën kur zbuluan mure të ruajtura mirë të bëra nga tulla balte të thara në diell. Disa prej tyre kishin qenë nën ujë për 40 vjet që kur u ndërtua diga e Mosulit dhe u krijua rezervuari.

Ata ia atribuojnë këtë ruajtje befasuese një tërmeti që shkatërroi qytetin në vitin 1350 para Krishtit kur pjesët e sipërme të mureve u shembën, duke i varrosur plotësisht ndërtesat.

Iraku është ndikuar rëndë nga ndryshimet klimatike. Temperaturat mesatare janë rritur me gati 1℃ gjatë shekullit të kaluar.

Vapa ekstreme ka bërë që jugu i vendit, në veçanti, të vuajë nga muaj të thatë. Mungesa e reshjeve dhe menaxhimi i dobët i burimeve ka bërë që komunitetet në rajon të vuajnë për ujë.

Rezervuari i Digës së Mosulit, në rajonin e Kurdistanit, është vendi më i rëndësishëm i depozitimit të ujit në vend. Në fillim të këtij viti, autoritetet kulluan një pjesë të saj për të parandaluar tharjen e të korrave, duke shkaktuar uljen dramatike të niveleve./euronews/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale